Zëdhënësi i Qeverisë dhe deputeti i VV-së dënohen me nga një vit e gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes

Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi dhe ish-zëdhënësi i Lëvizjes VV-së, tash i Qeverisë, Arlind Manxhuka u shpallën fajtorë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, duke u dënuar secili veç e veç me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj u shpallën fajtorë për veprën penale “kanosje” dhe u dënuan secili veç e veç me nga gjashtë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 mars 2025, kishte shpallur aktgjykim me të cilin kishte liruar nga akuza Arlind Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelaj i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim.

Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025 e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 8 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukës, Egzon Azemit, Qerim Elshanit dhe Edi Zenelajt, të cilët ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërkaq Elshani dhe Zenalaj akuzohen për “Kanosje”.

Të njëjtit po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu, raporton Betimi për Drejtësi.