Kush ishin mjeshtrit e fundit të jorganëve në Gjilan
Jorganpunuesit janë zeje prodhuese e tekstilit dhe profesion i vjetër, i cili, sipas literaturës, mund të ketë prejardhje nga koha osmane, në kohën e sundimit të të cilëve thuhet se ka lulëzuar.
Dihet fakti se në Kosovë kjo mjeshtëri ishte mjaft e zhvilluar dhe se ushtrohej më tepër në Gjakovë e Prizren.
Jorganxhinjtë mbështillnin pambukun e përpunuar me pëlhura, të cilët fillimisht e bënin me punë dore dhe i zbukuronin me ornamente të ndryshme.
Jorganxhinjtë e Gjilanit njiheshin për punimin tërësisht manual të jorganëve, jastëkëve dhe dyshekëve të mbushur me pambuk ose lesh të pastër.
Veglat e punës ishin: vizorja, gërshërët, unazat metalike, gjilpëra, shkopi për rrahjen e pambukut, penjtë ishin të posaçëm.
Këtë zeje në Gjilan e punonin më tepër mjeshtër me prejardhje nga Gjakova.
Pas Luftës së Dytë Botërore, punëtoritë e tyre në Gjilan i mbanin Hysen A. Gërqari, me leje nga viti 1953, me vëllezërit Hasanin dhe Mustafën dhe Jakup Jakupi-Mahmuti, me dyqanet e tyre në rr. “Adem Jashari”.
Përveç se merreshin me zejen e jorganpunuesit, vëllezërit Gërnqari ishin edhe antarë të Shoqërisë Kulturo Artistike “Drita” në Gjilan, kurse Mustafa dallohej si këngëtar i kësaj shoqërie në grupin muzikor të SHKA “Drita”.
Jorganxhiu i dytë dhe më i njohuri në Gjilan ishte Jakup Mahmuti-Jakupi apo i njohur si Jakup jorganxhiu me dyqanin që e kishte afër Ramadan xhamxhiut në rrugën e tanishme “Adem Jashari”.
Jakup Jorganxhiun, e njihnin si gjakovali, ishte trup shkurtë, i plotë, me beretë në kokë. Ishte orator, tubonte në duqan zanatlinjët që kishte afër, ishte llafazan, plot me mesele.
Punonte ulur, ndërsa blerësit më së shumti zakonisht lajmëroheshin ditën e pazarit ose panaxhyrit për të blerë.
Ishte mjeshtër i punës dhe shitjes. Ishte tregtar i zhdërvjellët, me mënyren si i prite blerësit, dhe si e lavdëronte produktin dukej sikur e hipnotizonte blerësin me fjalët të qëndisura për jorganin.
Punonte edhe jastukë, me vonë filloj të përgaditë edhe shilte, pasi ato hynë në modë në shtëpia, në rend të parë në dhomat e ndejës.
Me fillimin e prodhimit industrial të jorganave dhe fillimin e shitjeve të tyre në shitoret e “16 Nëntori”, si dhe me ndryshimin e e standareve jetësore, nevojat për prodhimet e jorganxhinjve privat filluan të zvoglohen e kështu edhe puna e myshterinjtë e Jakup jorganxhiut pakësoheshin dhe ai mbylli dyqanin e tij dhe kështu shkoi në kujtime jorganxhiu i vetëm dhe i fundit i Gjilanit. /Faik Ziyazade
…………………………….
(Më gjerësisht rreth zejës së Jorganxhinjve-Jorganpunuesve në librin “Zejtaria e Gjilanit”)

