Viva Fresh Store po vazhdon mashtrimin e konsumatorëve me çmime

Ndonëse mashtrimi i blerësve është vepër penale, Viva Fresh Store po vazhdon ta bëjë këtë. Me sa duket, mashtrimin e konsumatorit, kjo kompani e ka bërë rutinë. Fajtor për këtë mund të konsiderohet edhe shteti, i cili duhet t’ia vëjë dryrin një kompanie që mashtron konsumatorët në vazhdimësi.

Një konsumatore, e cila na e dokumentoi mashtrimin që i ka ndodhur dje në marketin e Viva Fresh Store në Pozheran të Vitisë, thotë se nuk është hera e parë që artikulli në arkë t’i llogaritet me çmim më të lartë se ai në rafte.

Kjo shihet edhe në faturë, ku një lëng molle reklamohet me 0.45 cent, ndërsa llogaritet me 0.69 cent.

Konsumatorja thotë se ka blerë 4 lëngje të tilla dhe të gjitha i janë llogaritur nga 0.69 cent, ose nga 24 cent më shumë.

Zakonisht, punëtorët e arkës arsyetohen se çmimi reklamues ka ngelur gabimisht, se kanë mungesë punëtorësh dhe nuk kanë arritur t’i heqin çmimet dhe arsye të tjera.

Asnjëra prej këtyre arsyeve nuk qëndron, pasi mashtrimi nuk është i pa qëllimshëm.

Ky është mashtrim i hapur dhe mashtrimi është vepër penale, thotë konsumatorja.

Konsumatori e merr vesh mashtrimin vetëm pasi del nga marketi dhe e analizon faturën, pasi nuk ka qasje vizuele në ekranin e arkës.

Inspektorati në Viti, në rastin konkret, duhet të reagojë me ashpërsi, jo për shkak të disa centëve, por për të mbrojtur konsumatorin nga mashtrimi, sepse ky është obligim ligjor. /Mediafokus.info