Lushaku-Sadriu: Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Nagavcit

Jehona Lushaku – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media i ka reaguar ashpër vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë lidhur me vendimin për librat shkollorë për nivelet 1 dhe 2. Sipas Lushaku – Sadriu, kjo ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës.

“Është e paprecedentë për faktin që dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor, MASHT-i ka bërë të ditur se nuk janë siguruar tekstet e vitit shkollor 2023/24, kjo ndodh për herë të parë në histori të Kosovës ku fëmijët mbesin pa tekste. Të dorëzuar tërësisht ministrja përpara një paaftësie për të siguruar librat, qeveria e Kosovës ka vendosur t’ua bartë përgjegjësinë prindërve”, tha ajo.

Më tutje, Lushaku ka thënë se duke ndryshuar metodën e furnizimit, MASHT-i ka krijuar konfuzitet total dhe ka bërë ndryshim që s’ia di rezultatet.

Sipas saj, ministria dhe qeveria kanë shkelur ligjin kur kanë vendosur për këtë mënyrë të distribuimit të librave.

“Duke ndryshuar metodën e furnizimit me tekstet dhe duke krijuar konfuzitet total te prindërit dhe shkollat. Një ndryshim tërësisht procedural në minutat e fundit pa vendim të detajuar e të qartë dhe pa i ditur rezultatet e tij. E gjithë kjo situatë dëshmon papërgjegjësinë e kësaj qeverie për të planifikuar saktë buxhetin dhe menaxhuar procesin e sigurimit të teksteve shkollore me kohë që janë obligim ligjor i ministrisë. Sigurimi dhe shpërndarja e teksteve shkollore falas për nxënësit e niveleve të para dhe të dyta është e paraparë me ligjin në fuqi, më saktësisht ligjin për arsimin parauniversitar neni 26, paragrafi 4 thotë se tekstet shkollore të miratuara nga këshilli drejtues për nivelet 1 dhe 2 duhet të ofrohen dhe sigurohen falas. Pra përveç paaftësisë së Qeverisë për menaxhim të kësaj situate, kjo qeveri me këtë vendim i ka ikur përgjegjësisë duke ngarkuar prindërit dhe duke shkelur ligjin në fuqi”, ka thënë ajo.

Sipas Lushakut, kosto për librat do të kushtojë shumë më shumë pasi në këtë kosto duhet të llogaritet shitja me pakicë, distribuimi dhe menaxhimi i i ekzekutimit të mjeteve.

“Edhe më i rëndësishëm është fakti i përllogaritjes së interesit dhe kostos së këtij eksperimenti. Ministrja në emër të kursimit të buxhetit ka vendosur të zgjedh një variant të ri që do të jetë shumë më i kushtueshëm për buxhetin e Kosovës. Me këtë vendim, qeveria jo që nuk do të kursejë, por do të dëshmohet se blerja me pakicë e librave do të shkaktojë kosto më të lartë për buxhetin e shtetit tonë. Çmimi i librave do të dalë më i shtrenjtë ngase në çmim do të përfshihet kosto e shitjes me pakicë, kostoja e distribuimit të librave dhe kostoja e menaxhimit të ekzekutimit të mjeteve te prindërit”, tha ajo.

Në bazë të këtyre llogaritjeve vë re Lushaku, çmimi i librave do të dalë 20 përqind më shtrenjtë sesa që do të kushtonte.

“Në bazë të këtyre llogaritjeve, çmimi më i librave do të dalë 20 përqind më i shtrenjtë. Prandaj, pretendimi për caktimin e çmimit tavan nga qeveria është i vështirë për këtë fazë sepse kërkon vlerësim për secilin tekst mbi parametra të caktuara, përfundimisht, qeveria do të paguaj më shtrenjtë rimbursimin e prindërve, shuma mund të shkojë edhe mbi 2 milionë.”, tha ajo.

Sipas Lushakut, kjo nuk është zgjidhje inovative, por ka qenë rezultat i paaftësisë së ministrisë.

“Kjo nuk është zgjidhje inovative e për kursim parash, por ka ardhur si rezultat i paaftësisë totale të ministrisë dhe ministres. Ministria ka dështuar të planifikojë buxhetin adekuat, ka dështuar të negociojë dhe të gjejë zgjidhje adekuate, të shpejtë e në kohë dhe ka vendosur ad hoc për një metodë më të komplikuar e më vështirë të implementueshme dhe më shqetësuese është diskursi populist i interpretimit të dështimit të ministrisë në këtë rast”, tha Lushaku.

Ajo ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci, “për shkak të keqmenaxhimit, shkelje sistematike të ligjeve në fuqi e fillimisht Kushtetutës dhe të anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit”. /Paparaci