Gjykata Speciale mund të dënojë edhe me burgim të përjetshëm

Rreth treqind persona janë intervistuar deri tani nga Gjykata Speciale, rreth dyshimeve për krime në kohën e luftës dhe pas luftës në Kosovë.

Aktakuzat e para pritet të ngritën vitin e ardhshëm, kurse dënimi maksimal mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtat Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.

Ndër të tjera Blakaj tha se aneksi i veteranëve për ndjekjen penale të serbëve dhe të dyshuarve të tjerë për krime të luftës mund edhe të mos funksionojë. Andaj kërkon që autoritetet e Kosovës të insistojnë që krimet e luftës të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi.

Specialja ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.