Huqje skandaloze: Afër 1 milion euro shkuan dëm, në vend të ilaçit kundër rriqnave AUV bleu ilaç kundër morrave

Afër 1 milion euro dëm i kanë shkaktuar shtetit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) përmes nënshkrimit të një kontrate për eliminimin e rriqrave, bartës të një sëmundjeje vdekjeprurëse. Kjo Agjenci, e cila është në kuadër të Ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, bëri një huqje të madhe me ilaçin që bleu. Në vend të ilaçit kundër rriqnave, AUV bleu ilaç kundër morrave.

Në raportimin e brendshëm të Auditimit të Agjencisë së Ushqimit që e ka siguruar Periskopi, evidentohet gjetja se si grupi i operatorëve ekonomik: FIDAN KRASNIQI BI SH.P.K; THERANDA VETS SH.P.K; Vector Pest Control SH.P.K; Jusuf Berisha; Ganimet Pirana B.I; Bujar F. Ejupi B.I kanë mashtruar kur kanë përdorur preparatin e quajtur Deltanil, sepse nuk i vret rriqrat, por morrat dhe mizat .

Këta operator ekonomik me kontratë kishin të përshkruar dezinsektimin-repilimin e  44 fshatra të Komunës se Malishevës, 33 fshatra të Komunës së Rahovecit, 13 fshatra të Komunës së Klinës dhe 6 fshatra të Komunës se Suharekës. Në repelim do të përfshihen 150000 krerë gjedhe, 100000 krerë dele dhe dhi, dhe 75000 metra katror dezinsektim të fermave në Komunën e Malishevës. Por krejt këto fshatra, dele, dhi, gjedhe po del që nuk janë repiluar e as dezinsektuar me preparatin kundër rriqrave, por kundër morrave. Efekti është zero nëpër ferma, por rreziku ndaj shëndetin të njerëzve është rritur.

Zyra e Auditimit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shkuar edhe një hap tutje për ta verifikuar këtë preparat dhe efektshmërinë e tij në dezinsektimin e fermave, që të mos lë dilema për mashtrimin që operatorët ekonomik ia kanë bërë shtetit. Verifikimet zyrtare e përgënjeshtrojnë përmbajtjen e kontratës në mes Agjencisë së Ushqimit dhe Operatorëve Ekonomik që peshon afër 900 mijë euro.

Ky preparat që është përdorur nga operatorët ekonomik e ka bërë kontratën rrjedhimisht të paefektshme duke mos e eliminuar rrezikun nga sëmundja Ethet Hemoragjike Krime-Kongo, por duke rrezikuar shëndetin e qytetetarëve.

“Menaxhmentit të AUV-së i propozojmë këto rekomandime: Të analizohen mundësitë ligjore në mënyre që projekti të realizohet në plotni dhe të jap efektet e domosdoshme për adresimin e një problemi serioz siç janë Ethet Hemoragjike-Krimet Kongo, për të cilat paraqesin rrezik serioz për shëndetin e publikut. Duke qenë se tani vetëm se janë kryer pagesat mbi bazën e kësaj kontrate AUV duhet të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet ligjore për zhdëmtim. Të merren në konsiderat të gjeturat ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe fondet publike”, thuhet në raportimin e auditimit të brendshëm.

Peci në postimin e gushtit të vitit 2024 po siguronte se preparati që po përdoret është i sigurt për kafshët, por si për ironi, pikërisht preparati doli të ishte flas.

Pickimi i rriqrave kryesisht në zonën e Malishevës ka qenë shpesh me fatalitet. 11 persona kanë vdekur nga pickimi i rriqrave në vitin 2013 si shkak i etheve hemoragjike. Nëpër vite numri i të infektuarve ka rënë, por edhe i vdekjeve. Rasti i fundit me fatalitet është regjistruar në Malishevë në vitin 2020.