Analistët vlerësojnë se Kurti i iku përgjegjësisë për dialogun

Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka folur në “Prime Time” të Kanal 10, rreth rrëzimit të ‘Qeverisë Kurti’ dhe dështimeve të qeverisë aktuale të udhëhequr nga LDK.

“Ne kemi menduar që presidentin Hashim Thaçi, është dashur ta ndalë dikush pasi që në konferenca publike ai ka deklaruar se do të shkojë në Uashington dhe do të nënshkruhen marrëveshje të dhimbshme e të rrezikshme”, ka thënë Rexhaj, përcjell Portali.info.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka pasur përballë tri çështje të rëndësishme të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i përfundojnë në mënyrën që ata kanë dashur, pasi që sipas Rexhajt, “Kurti është rrëzuar nga posti”.

Analistët në studion e “Prime Time” kanë cilësuar se ish-kryeministri Kurti i ka ikur përgjegjësisë, pasi që ka pasur mundësinë të ketë në dorë dialogun dhe çështjet e tjera.

Arben Ahmeti i ka thënë Rexhajt se askush nuk e ka ndalur Albin Kurtin që të ndajë disa miliona për të bërë fushatë në SHBA rreth vizionit të tij, duke përmendur këtu edhe aktivistin e VV-së në SHBA, i cili kishte premtuar se pas fitores së Kurtit do të sillte 50 milion euro investime.