Bastisje në Gjilan – 20 vjeçari kapet me sasi të konsiderueshme marihuane dhe pajisje për kultivim të kanabisit
Një operacion i policisë në Gjilan ka zbuluar një laborator të vogël për kultivim të bimëve narkotike dhe ka çuar në arrestimin e një 20-vjeçari, raporton Sinjali.
Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Gjilan, pas informacioneve operative, kanë lokalizuar dhe bastisur shtëpinë e E.R., rreth 20-vjeçar në rrugën “Dëshmorët e Gjilanit”.
Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar: Një qantë të kaltër me tre kavanoza dhe një qese marihuanë me peshë totale 220.87 gram, dy drita LED për kultivim të bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa,një bimë kanabisi të mbjellë në gotë plastike, një qese me 190 fara kanabisi (peshë 3.70 gram), dy qese shtesë me 3.88 gram marihuanë.
Testi fushor ka konfirmuar se substanca e gjetur është narkotike e llojit marihuanë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga PTHDKR, E.R., është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është inicuar rast për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike” si dhe “Kultivim të bimëve narkotike”.
Hetimet janë në zhvillim.
———————————-
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
