Krenare Latifi-Kqiku: Liria që gëzojmë sot e ka zanafillën te shtëpitë-shtabe të Zhegocit dhe te gjaku i derdhur në Kishnapolë
Këtë ditë ia kemi dedikuar tërësisht nderimit të njërës prej ngjarjeve më përcaktuese të historisë sonë të re – 27-vjetorit të Epopesë së Zhegocit dhe Kishnapolës.
Sot, në krye të agjendës institucionale, së bashku me familjarë e bashkëpunëtorë, kemi përshkuar rrugën e lavdisë së prillit të vitit 1999, për të rikonfirmuar se liria jonë e ka burimin te sakrifica e pashoq e vajzave dhe djemve më të mirë të këtij vendi.
Kjo ditë na kthen në 15 prillin e vitit 1999, atëherë kur malësia jonë u bë dëshmitare e një prej betejave më heroike të Zonës Operative të Karadakut.
Në këtë përvjetor, përulemi para sakrificës së tetë dëshmorëve të UÇK-së që ranë në këtë betejë: Pajazit Ahmeti – Paja, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Ramadan Hyseni, Shaban Hyseni, Njazi Osmani, Sali Nuhiu.
Sot kujtojmë me nderim edhe 18 martirët civilë që u flijuan për liri, duke u bërë pjesë e kësaj historie të lavdishme.
Si përfaqësues të institucioneve, e kemi për detyrë që emrat e tyre t’i mbajmë gjallë jo vetëm në akademi të tilla, por, mbi të gjitha, duke punuar me ndershmëri për vendin; sepse liria që gëzojmë sot e ka zanafillën te shtëpitë-shtabe të Zhegocit dhe te gjaku i derdhur në Kishnapolë.
Amaneti i dëshmorëve është udhërrëfyesi ynë i përhershëm.
Obligimi ynë është që fëmijëve tanë t’u lëmë një Kosovë të fortë, ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka për këtë vend.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Zhegocit dhe Kishnapolës!
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri

