Rriten shkurorëzimet në Kosovë, lindjet dhe kurorëzimet shënojnë rënie

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për muajin shkurt 2026, të cilat tregojnë lëvizje të ndryshme në indikatorët demografikë, duke përfshirë lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet.

Gjatë shkurtit 2026 janë regjistruar gjithsej 2.002 lindje, prej të cilave 1.030 meshkuj dhe 972 femra. Krahasuar me muajin janar 2026, kjo paraqet një rënie prej 13,3%.

Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 901 raste vdekjeje, ku 463 janë meshkuj dhe 438 femra. Sipas ASK-së, kjo shënon një ulje prej 21,2% krahasuar me janarin.

Shkurt 2026 ka shënuar gjithsej 969 kurorëzime, duke reflektuar një rënie prej 29,4% në raport me muajin paraprak.

Ndryshe nga treguesit e tjerë, shkurorëzimet kanë shënuar rritje. Gjatë shkurtit janë regjistruar 135 raste, që përbën një rritje prej 53,4% krahasuar me janarin 2026.

ASK-ja thekson se të dhënat janë preliminare dhe bazohen në regjistrimet administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).