Kujtimi yt jeton çdo ditë në zemrën time, në çdo lutje, në çdo lot që rrjedh për ty – dedikimi i motrës për vëllain dëshmor

Sot shënohet 15 prilli, dita e Betejës së Zhegocit, ku në një përballje me forcat serbe ranë shumë dëshmorë e martirë nga kjo anë dhe viset tjera të Kosovës, të cilët ishin ngritur për t`i dalë zot tokës së tyre.

Njëri nga këta dëshmorë është edhe Fadil (Shemsi) Ajeti, i cili asokohe ishte vetëm 22 vjeç, por ishte i vendosur të mos largohej nga vendi i tij.

Sot, 27 vjet pas, atë e ka rikujtuar motra Hysnija me familje.

Me mall të pashuar dhe zemër të mbushur me dhimbje, përkujtoj përvjetorin e rënies së vëllait tim, dëshmorit Fadil Shemsi Ajeti, i cili u vra më 15 prill 1999. Vitet kalojnë, por dhimbja për ty nuk shuhet kurrë. Kujtimi yt jeton çdo ditë në zemrën time, në çdo lutje dhe në çdo lot që rrjedh për ty.

Sakrifica jote për lirinë tonë është e shenjtë dhe e paharruar. Fjalët e tua do të mbeten përjetë në zemrat tona: “Unë nuk largohem prej vendit tim – o vdekje, o liri.” Ishe dhe mbetesh krenaria jonë, drita që na ndriçon rrugën dhe forca që na mban të fortë. Edhe pse nuk je fizikisht pranë nesh, je gjithmonë i gjallë në shpirtin dhe kujtimet tona. Të kujton me mall motra jote. I paharruar përjetë !

Kush ishte dëshmori i Kombit – Fadil Ajeti (1977–1999)

Ka njerëz që jetojnë për veten dhe ka të tillë që lindin për t’u bërë mburojë e të tjerëve.

Fadil Ajeti ishte nga ata që nuk e matën jetën me vite, por me kuptim. Ai jetoi pak, por la pas një vepër të madhe – lirinë.

Fadil Ajeti u lind më 5 dhjetor 1977 në fshatin Verbicë e Zhegocit, në një familje të thjeshtë, por të pasur në vlera atdhetare.

Që në fëmijëri, u rrit në frymën e dashurisë për tokën, gjuhën dhe kombin. Prindërit e tij, Shemsi dhe Selime Ajeti, e edukuan me ndjenjën e përgjegjësisë, ndershmërisë dhe sakrificës për të mirën e përbashkët.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në drejtimin e makinerisë, në Shkollën e Mesme Teknike “Rexhep Elmazi” në Gjilan.

Ai ishte nxënës i përkushtuar, serioz dhe i respektuar, i njohur për qetësinë dhe pjekurinë që shfaqte edhe përtej moshës së tij.

Edhe pse u regjistrua në fakultet, Fadili nuk pati mundësi të vazhdonte studimet.

Fati dhe rrethanat e rënda historike ia ndryshuan rrjedhën e jetës herët.

Pas vdekjes së babait të tij në vitin 1996 – i cili ndërroi jetë si pasojë e torturave të rënda të regjimit serb gjatë aksioneve për konfiskimin e armëve – Fadili u detyrua të bëhej kryefamiljar.

Ai mori mbi supe barrën e rëndë të familjes.

Babai i tij kishte mbajtur një amanet të shenjtë. I rrahur, i kërcënuar dhe i keqtrajtuar nga policia serbe, por ai nuk u dorëzua kurrë.

Para se të ndërronte jetë, ia la amanetin e fundit Fadilit.

Ky amanet nuk ishte thjesht një armë – ishte simbol i rezistencës, i nderit dhe i detyrës ndaj atdheut.

Fadili e mbajti këtë amanet me përgjegjësi të plotë, duke e përmbushur deri në fund, me jetën e tij.

“Unë nuk largohem prej vendit tim – o vdekje, o liri.”

Që në rini, Fadil Ajeti u dallua për disiplinën, vendosmërinë dhe karakterin e pathyeshëm.

Në fund të vitit 1998 dhe fillim të vitit 1999, kur Kosova po përjetonte ditët më të errëta të saj, ai u vu në kontakt me strukturat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pa hezitim, pa kalkulime personale, ai zgjodhi rrugën e luftës për liri.

Fadili ishte shembull për bashkëluftëtarët. Ai i kryente të gjitha detyrat me përpikëri, guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në çdo ofensivë, në çdo lëvizje, ai gjithmonë shkonte i pari në vëzhgim të terrenit.

Nuk e kursente veten, nuk mendonte për rrezikun personal, por vetëm për sigurinë e të tjerëve dhe për mbrojtjen e popullatës civile.

Më 15 prill 1999, në kulmin e ofensivave serbe, Fadil Ajeti, së bashku me bashkëluftëtarët Ismet Ajeti, Fatmir Ademi dhe Blerim Ademi, e shumë dëshmor të tjerë u përballën me një rrethim të plotë nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.

Në një betejë të pabarabartë, ata qëndruan me vendosmëri deri në frymën e fundit.

Falë guximit, vigjilencës dhe sakrificës së tyre sublime, duke u shpëtuar jetën qindra civilëve – gra, fëmijë dhe të moshuar – të strehuar në bjeshkët e malësisë së Verbicës dhe Zhegocit Lagjja Bilinicë.

Në ato momente dramatike, Fadili paralajmëroi rrezikun, udhëhoqi rrugën dhe u bë shpresë në errësirë për popullatën e pafajshme.

Atë ditë, ai e dëshmoi me vepra fjalën e tij të pavdekshme: “Unë nuk largohem prej vendit tim – o vdekje, o liri.”

Këto fjalë nuk ishin vetëm betim, por mënyrë jetese. Ai qëndroi aty ku rreziku ishte më i madh, sepse e dinte se dikush duhej të qëndronte që të tjerët të jetonin.

Fadil Ajeti ra dëshmor më 15 prill 1999, duke lënë pas nënën, pesë motra dhe dy vëllezër.

Sot, emri i tij jeton me krenari te brezat, te familja dhe te nipi i tij që jeton në Londër, si dëshmi se gjaku i dëshmorëve nuk humbet, por vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në liri.

Fadili ra dëshmor, por nuk u mposht.

Ai jeton në çdo hap të lirisë sonë, në çdo jetë që u shpëtua falë sakrificës së tij dhe në ndërgjegjen kolektive të këtij vendi./Mediafokus