Mospërmendja e emrave të dëshmorëve është padrejtësi – reagim i djalit të dëshmorit ndaj kryesueses së Kuvendit, Krenare Latifi Kqiku
Sabedin Sherifi
E nderuara znj. Krenare Latifi Kqiku, me shqetësim të thellë kemi lexuar shkrimin tuaj lidhur me përkujtimin e Beteja e 15 Prillit 1999, ku për fat të keq janë anashkaluar emrat e dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit.
Mos përmendja e emrave të tyre nuk është thjesht një lëshim formal, por një padrejtësi morale ndaj sakrificës më sublime që mund të japë një njeri për atdheun.
Dëshmorët nuk janë vetëm pjesë e historisë sonë – ata janë themeli mbi të cilin është ndërtuar liria që gëzojmë sot.
Çdo përkujtim që nuk i përfshin ata me emër dhe dinjitet rrezikon të zbehë kujtesën kolektive dhe të dëmtojë respektin që u detyrohemi brezave që dhanë gjithçka.
Prandaj, kërkojmë nga ju që të bëni korrigjimin e duhur dhe të siguroni që në shkrimet dhe përkujtimet e ardhshme, emrat e dëshmorëve të zënë vendin që u takon – në qendër të nderimit dhe kujtesës sonë kombëtare.
Respekti për dëshmorët nuk është zgjedhje, por obligim.
……………….
(Autori i këtij reagimi është i biri i dëshmorit Sherif Sherifi)

