Aprovohen rreth 132 mijë kërkesa për votim nga mërgata për zgjedhjet e 7 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e shqyrtimit të aplikimeve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.
Në përgjithësi janë aprovuar 131,800 votues jashtë vendit nga 142,803 që kanë aplikuar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se numri më i madh i qytetarëve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërsa mijëra të tjerë do të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Nga 142,803 kërkesa të pranuara për regjistrim, pas shqyrtimit të tyre, janë aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, numri më i madh i votuesve janë regjistruar për votim përmes postës.
“Nga 131,800 aplikime të aprovuara, 100,522 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,502 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27,776 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë ai.

