Gjimnazi i Gjilanit ishte themeluar për nxënësit serbë, për fëmijët shqiptarë nuk kishte shkollim të mesëm

Gjimnazi i Gjilanit ka një histori gati njëshekullore. Deri në vitet e ’60-ta, këtu mësimi u zhvillua vetëm në gjuhën serbe. Fëmijët shqiptarë ishin të detyruar të mësonin në këtë gjuhë, nëse dëshironin shkollim.

Pas këtij viti hapet një paralele e vetme me nxënës shqiptarë, për të bërë më vonë dy të tilla, derisa në gjuhën serbe ishin shtatë paralele.

Kah mesi i viteve të `60-ta, situata ndryshoi dukshëm në favor të mësimit në gjuhën shqipe, sa i përket numrit të nxënësve, po edhe të mësimdhënësve.

Mësues të parë ishin Nevruz Nura, Tasim Sylejmani, Kurtesh Ahmeti, Nijazi Fehmiu, Ekrem Gjinolli, Ali Bajrami (Gjakovë), Kefsere Mahmuti, Sadullah Brestovci, Vehbi Orana, Mehmet Kusteshi, Shefqet Bërlajolli (Pejë), Tahir Z. Berisha, Behxhet Arapi dhe të tjerë.

Më vonë erdhën Rashit Gashi, Ruzhdi Ushaku, Ferat Rexhepi, Misim Avdiu, Reshat Ramadani, Abdylaziz Veseli, Muzafer Gjinolli, Emrush Haliti, Zijadin Munishi, Jashar Jashari, Haxhi Vokshi, Ajshe Gashi, Qemajl Halimi, Hamzë Halimi, Adem Meshina, Xhemail Pllana dhe të tjerë.

Në vitin shkollor 1964/65, Gjimnazi i Lartë kaloi në kazermën e vjetër austro-hungareze dhe u emërua “Zenel Hajdini”, ashtu siç quhet edhe sot.

Objekti, që sipas disa njohësve të kohës, ishte i stilit austro-hungarez e, sipas disa të tjerëve, i përkiste një periudhe të hershme turke, për një kohë ka shërbyer si kazermë ushtarake ose administratë.

I vetëm mes nxënësve serbë

Gjimnazi ishte themeluar si shkollë për serbët, të cilët për një kohë dominuan me numër nxënësish dhe arsimtarë. Këtë e dëshmojnë edhe dokumentet arkivore.

Tefik Selimi (tani i ndjerë), profesor i kësaj shkolle, ku i kaloi mbi dyzet vjet punë, ka gjetur të dhëna që dëshmojnë se në vitin e parë të punës, gjimnazi kishte 57 nxënës serbë dhe asnjë shqiptar.

Nxënësit e parë shqiptarë, me mësim në gjuhën serbe, sipas shënimeve arkivore, ishin Adem Devaja, që ishte i vetëm në një klasë, pastaj Hysen Selimi e Zija Devaja, në një paralele tjetër.

Krahas serbishtes, edhe rusishtja, asokohe, ishte lëndë mësimore.

Sipas dëshmitarëve, objekti i vjetër i Gjimnazit, ishte një ndërtesë dy katesh. Nuk dihet se kur është ndërtuar, por flitet se në atë hapësirë kishte pasur varre më herët. Oborri ka qenë i rrethuar me shtylla e tela gjemborë.

Gjuha shqipe hyri me vështirësi në gjimnaz

Në monografinë e Tefik Selimit për gjimnazin e Gjilanit, thuhet se “gjuha shqipe ka hyrë me shumë vështirësi në këtë tempull të dijes”, që për shumë vite e ka udhëhequr drejtori Vllada Cvetanoviq, i cili kishte lidhje të forta me Komitetin.

Vetëm kur mësimdhënësit shqiptarë u bashkuan, në gjimnaz filloi të frymojë një jetë tjetër, thotë ai.

Pas vitit 1968 dhe ndryshimeve që sjell kjo periudhë, e veçanërisht pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 1970, gjimnazi do të marrë rolin prijatar në përgatitjen e kuadrove profesionale për të gjitha lëndët mësimore.

Në këtë mënyrë gjimnazi merr barrën kryesore në zhvillimin e arsimit të mesëm në Gjilan. Një rritë e jashtëzakonshme, sa i përket numrit të nxënësve, ka ndodhur pas viteve të 80-ta.

Ish-nxënës të kësaj shkolle kanë pasur rol kyç në organizimin e demonstratave të vitit 1968,1981 dhe lëvizjet tjera, në vazhdimësi, prandaj gjimnazi ka qenë përherë në shënjestër të pushtetit, i cili e ndëshkoi përmes masave represive, helmimit të nxënësve dhe largimit nga objekti shkollor, më 1991.

Mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë bërë luftën e madhe për ti arsimuar drejt nxënësit, duke i rreshtuar ata në synimet për liri dhe shtet të pavarur.

Përndryshe, regjimi serb nuk e ka shikuar asnjëherë me sy të mirë këtë vatër të dijes, për faktin se ishte hapur si shkollë për nxënësit serbë, por më vonë ishte bërë një shtëpi e madhe e dijes për nxënësit shqiptarë.

Fëmijët e shqiptarëve, fillimisht kanë mundur të regjistrohen vetëm në klasat e përziera dhe të mësojë në gjuhën serbe. Ata xhelozoheshin nga arsimtarët dhe nxënësit serbë, për faktin se ishin më të zgjuar në mësime.