Kur Riza Syla i bënte ‘horë’ doktorët e Pasjanit

Pasjan, 6 tetor 2005 – Në një shtëpi që është vështirë të jetojnë kafshët, e lërë më njerëzit, jetonte plot katërdhjetë vjet gruaja nga fshati Pasjan i Gjilanit, Snezhana Ristiç. Ajo jetonte e vetme në shtëpi. Prindërit i kanë vdekur shumë herët.

Ekipi i gazetës “Java”, i shoqëruar nga drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Riza Syla dhe punëtorja serbe e kësaj Qendre, Bujana Stankovic, e pati vizituar këtë grua, duke parë kështu gjendjen e mjerusheshme të saj, shkruan Mediafokus.info.

Shtëpia e saj dukej si një shtallë kafshësh. Ajo ishte duke fjetur në një krevat plot lloç. Afër kishe një kore buke. Ishte e vështirë të besoje se në Kosovë ka njerëz që jetojnë në varfëri kaq ekstreme.

Ky fshat, 6 kilometra larg Gjilanit, është i banuar tërësisht me serbë dhe ka një spital tejet të mirë.

Por, mjekët atje nuk i kanë ofruar kurrëfarë ndihme kësaj gruaje fatkeqe.

Brenda, në spital, u zhvillua një dialog i ashpër verbal në mes të drejtorit të Qendrës për Punë Sociale të asaj kohe, Riza Syla dhe doktorëve serbë, Zoran Periç e Bllashko Jankoviç.

“Gjynah është me e lënë në këtë gjendje kaq të rëndë e të mjerueshme Snezhanën. Qysh s’po ju vjen marre. Edhe pse është e sëmurë, kjo është krijesë njerëzore. Si po e ndiheni vetën në këtë moment”, i pyeste Syla me një ton të lartë doktorët, transmeton Mediafokus.info.

Sot, 14 vite më vonë, nuk jetojnë as Snezhana Ristiç e as ikona e QPS’së në Gjilan dhe ish i burgosuri politik, Riza Syla.

Ristiç pati ndërruar jetë vetëm një javë pas reportazhit të gazetës “Java” (2005), ndërkaq Syla ka ndërruar jetë në marsin e vitit që e lamë pas (2019).

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, e pati shpalluar Sylën punëtorin e vitit, sikur që e nderoi me mirënjohje edhe për kontributin e tij jetësor kushtuar asistencës sociale dhe shpërndarjes së mbështetjes sociale për shumë familje në nevojë./MediaFokus/