Haziri: Jam duke e rivlerësuar vendimin për varrezat

Lokacioni i ri i varrezave të qytetit, që sipas një vendimi të mëhershëm, është caktuar në lagjen “Zabeli…”, ku tani kanë filluar edhe punimet përgatitore, ka shkaktuar tensione në relacionet opozitë-pozitë në Gjilan, të cilat kanë kulmuar me bojkotimin e seancës së fundit të Kuvendit Komunal nga dy subjekte politike.

VV e PDK (gjysma e kësaj të fundit) kanë deklaruar se nuk do të kthehen në seancat e Kuvendit dhe të Komiteteve, derisa nuk anulohet ky vendim.

Kryetari Lutfi Haziri ka paralajmëruar mundësinë e rishikimit të vendimit, raporton portali mediafokus.info

“Sa u përket varrezave të qytetit, ku vendimi është sfiduar nga partitë opozitare dhe komuniteti, unë jam duke e rivlerësuar vendimin”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se nuk është i interesuar të bëjë asnjë zgjidhje pa u koordinua me komunitetin në veçanti dhe përfaqësuesit e partive politike, në vendime të rëndësishme në kuadër të planeve zhvillimore e që kanë ndikim për një periudhë më të gjatë se dhjetë vjet.

“Unë nuk jam i interesuar të bëjë zgjidhje pa u koordinuar me komunitetin dhe partitë politike për vendime që kanë impakt më të gjatë se dhjetë vjet”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. /MediaFokus/