Qeveria, gjysmë milioni euro për tërmetin, asnjë cent për ujin

Gjilani, gjatë vitit 2019, është përballur me sfidën e madhe të mungesës së ujit të pijshëm që nga qershori e tutje, si pasojë e mungesës së reshjeve.

Reduktime në lagje e fshatra vazhdon të ketë akoma.

Në qershor, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, e themeloi task-forcën, në të cilën është inkorporuar edhe Hidromorava e Policia e Kosovës, si formë përballimit të gjendjes.

U organizua konferenca e madhe e donatorëve, me përfshirjen edhe të Zyrës së Kryeministrit, prej ku doli konstatimi se në këtë fazë nevojiten 640 mijë euro për daljen nga situata emergjente.

Zgjidhja afatshkurtër

Meqë për ndarjen e këtyre mjeteve Qeveria e Kosovës nuk e mbajti premtimin, Komuna e Gjilanit bashkë me Hidromoravën, në kuadër të fondit emergjent, kanë ndarë 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja tek kazerma e FSK dhe në lagjen Fidanishte, por kjo po vlerësohet si zgjidhje afatshkurtër.

“Menaxhimin e thatësisë e kemi bërë me reduktime të mëdha të ujit dhe hulumtimeve të burimeve alternative. Qeveria e Kosovës nuk e ka mbajtur premtimin për ndarjen e 640 mijë eurove për ujin në Gjilan, me arsyetimin e kufizimeve ligjore. Por, për tërmetin në Shqipëri ka ndarë gjysmë milioni euro”, ka thënë për MediaFokus kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Zgjidhja afatmesme

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë në periudhën afatmesme, Komuna i ka hulumtuar dy vende, lumen Krivareka të Kremenatës së Kamenicës dhe lumen Llapushnica të Pogragjës.

“Këto dy vendbanime mund të sigurojnë ujë përmes pendave të vogla akumuluese dhe që të dy këto projekte kanë hyrë në zgjidhjen afatmesme të zgjidhjes së problemit. Banka Botërore është zotuar për mbështetje të Gjilanit në shumën prej 10 milionë dollarë për zgjidhjen afatmesme”, thotë ai, transmeton Mediafokus.info.

Lajmi i mirë është që mjetet e suspenduara për Kosovën e Re në energji, një pjesë e madhe e tyre ka shkuar në ujëra dhe ambient dhe Gjilani është përfitues në pritje të këtij donacioni.

Zgjidhja afatgjate

Për të evituar problemet me ujin e pijshëm, hapi afatgjatë është projekti master i Lepencit.

Ky projekt, i reviduar, vlerësohet se Ferizajin deri në Kamenicë e furnizon pa problem me ujë të pijshëm dhe me ujëra për ujitje.

E deri atëherë, duket se do të vazhdojmë të jetojmë me kufizime në furnizim me ujë, përkundër që Komuna është zotuar se do të vazhdojë të investojë në rrjet të ujësjellësit.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës në botë është me ujë. Por, sipas ekspertëve ndërkombëtar, vetëm 0,003 për qind e sasisë së përgjithshme të ujit është në dispozicion për njerëzit. Gati një e treta e popullsisë së botës nuk ka qasje të mjaftueshme.

Problemi i ujit të pijshëm është sfida globale e shekullit 21./MediaFokus/