Reagon Agani: Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk po themelohet sot – ai është themeluar para 12 vitesh

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk po themelohet sot – ai është themeluar para 12 vitesh – thotë Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë.

Vendimi i Qeverisë në detyrë i datës 1 qershor 2026, me të cilin thuhet se “themelohet Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor i Republikës së Kosovës”, kërkon një sqarim të rëndësishëm për opinionin publik.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk është një institucion i ri.

Ai është themeluar me Ligjin për Sigurime Shëndetësore të vitit 2014 dhe për më shumë se një dekadë ka ekzistuar si institucion publik me bazë ligjore, strukturë organizative, buxhet dhe personel.

Për këtë arsye, paraqitja e këtij vendimi si “themelim i Fondit” krijon përshtypjen e gabuar se po krijohet një institucion që deri më sot nuk ka ekzistuar.

Problemi i Kosovës gjatë këtyre 12 viteve nuk ka qenë mungesa e Fondit, por mungesa e funksionalizimit të plotë të sistemit të sigurimeve shëndetësore.

Qytetarët e Kosovës nuk kanë vuajtur nga mungesa e një vendimi për themelimin e Fondit.

Ata kanë vuajtur nga mungesa e zbatimit të plotë të reformës së sigurimeve shëndetësore, nga pagesat e larta nga xhepi për barna dhe shërbime, nga mungesa e mbrojtjes financiare në rast sëmundjeje dhe nga vonesat e vazhdueshme në ndërtimin e një sistemi modern të financimit të kujdesit shëndetësor.

Prandaj, pyetja që meriton përgjigje nuk është nëse Fondi po themelohet sot, por pse qytetarët ende nuk gëzojnë sigurime shëndetësore funksionale dymbëdhjetë vjet pas miratimit të ligjit.

Qytetarët nuk kanë nevojë për ri-shpallje të institucioneve ekzistuese.

Ata kanë nevojë për:

* sigurime shëndetësore funksionale;
* paketë reale të përfitimeve;
* mbrojtje nga shpenzimet katastrofike shëndetësore;
* kontraktim efikas të ofruesve publikë dhe privatë;
* dhe një Fond që vepron si blerës strategjik i shërbimeve në interes të pacientit.

Çdo hap që afron Kosovën drejt funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore është i mirëseardhur. Por transparenca ndaj qytetarëve kërkon që faktet të paraqiten ashtu siç janë.

Fondi nuk po themelohet sot.

Sfida e vërtetë është funksionalizimi i tij, ka thënë në një reagim publik, Dr. Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë, njëri nga iniciatorët e reformës së sigurimeve shëndetësore (2011–2014).