Dy motrat nga Kamenica që humbën jetën në një aksident në Gjermani, do të varrosen në vendlindje
Dy motrat nga Kosova, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe) të cilat humbën jetën në një aksident tragjik në Gjermani, do të varrosen në vendlindje.
Mediat zvicerane dhe gjermane raportuan mbi një aksident të rëndë komunikacioni në Gjermani, ku humbën jetën dy motrat, të cilat jetonin në Olten të Zvicrës.
Babai i vajzave ka rrëfyer mes lotësh se vajzat e tij u detyruan të frenonin në autostradë për shkak të një aksidenti që kishte ndodhur më përpara, por një makinë që vinte pas tyre nuk arriti të ndalonte me kohë dhe u përplas me forcë të madhe pas automjetit të motrave.
Përplasja rezultoi fatale dhe dy të rejat ndërruan jetë në vendngjarje.
Familja dhe mbarë rrethi i tyre në Olten janë tronditur nga kjo tragjedi.
I ati i tyre u shpreh se vajzat ishin në lulen e rinisë dhe se ato e donin shumë jetën. 23-vjeçarja Erza sapo kishte përfunduar shkollimin e lartë profesional dhe punonte në Olten, ndërsa motra e saj më e vogël, Aulona, ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale.
Familja e pikëlluar ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për t’i dërguar trupat e dy motrave në Kosovë, ku edhe do të bëhet varrimi i tyre, raporton Telegrafi.

