Topi: “Mos i vrisni gjarpërinjtë e shtëpisë, ata i kanë shërbyer shumë njerëzimit”
“Gjarpërinjtë i kanë shërbyer shumë njerëzimit, për shekuj. Natyrisht, ka ndryshuar niveli i jetesës, njerëzit e kontrollojnë përhapjen e brejtësve me çarqe apo me helme, por në të kaluarën nëse nuk do kishte gjarpërinj përreth banesave, sëmundjet që përhapen nga brejtësit do ishin shumë të mëdha”, tha biologu në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Prandaj njerëzit thonin mos e vrisni gjarpërin e shtëpisë sepse të ecën ters. Ndoshta shprehja ka lindur sepse kur njerëzit kanë vrarë gjarpërinjtë rreth shtëpisë së tyre, brejtësit kanë shkuar deri te ushqimet dhe njerëzit janë prekur nga sëmundje vdekjeprurëse”, shpjegoi biologu Mirjan Topi.
Biologu theksoi se njerëzit nuk duhet të kenë asnjëherë frikë nga gjarpërinjtë e mëdhenj.
Ai shpjegoi se “nëse një gjarpër është më i madh se një metër, nuk ka arsye për të pasur frikë”.
“Supozojmë se dikush është duke mbledhur bimë medicinale dhe kafshohet nga një gjarpër i madh. Nuk kanë helm, thjesht mund ta bësh me pak alkool e dezinfektim. Askush të mos ketë frikë nga gjarpërinjtë e mëdhenj”, u shpreh biologu.
“Nëse ka gjarpërinj nëpër qytete, ky nuk është lajm i keq, por i mirë. Gjarpërinjtë janë konsumatorë të brejtësve dhe brejtësit vetë janë përhapës të sëmundjeve të ndryshme. Nga 17 lloje gjarpërinjsh në vendin tonë, vetëm 6 janë helmues. Dy prej tyre janë helmues të lehtë. Nëpërka me bri është shumë helmuese, deri në vdekjeprurëse. Por, studimet tregojnë se rastet e vdekjes janë shumë të rralla”, tha Topi.
“Nëse nuk i ngacmon, gjarpërinjtë nuk e sulmojnë kurrë njeriun. Kur ndjejnë prezencën e një njeriu, gjarpërinjtë mundohen të fshihen”, shtoi biologu. (A2 Televizion)

