Ky është imami që mbeti i vrarë në Dragash

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Zlipotok të Dragashit mbrëmjen e kaluar, ku një përleshje fizike mes disa personave ka përfunduar me pasoja fatale.

Viktimë e këtij konflikti ka mbetur imami i fshatit,Gazmend Tahirovci, 46 vjeç.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Ngjarja ka ndodhur më datë 29.06.2026, rreth orës 23:15, në fshatin Zlipotok. Pasi policia ka marrë njoftimin përmes telefonit për një përleshje, patrulla ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka gjetur një person të shtrirë në tokë me lëndime që dyshohet se i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë”, konfirmoi ai.

Ekipi mjekësor nga QKMF e Dragashit ka arritur në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar, banor i fshatit Zlipotok.

Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai është B.H., mashkull 40-vjeçar, po ashtu nga fshati Zlipotok.

I dyshuari aktualisht ndodhet në arrati, tha Bytyqi.

Që nga mbrëmja e kaluar, autoritetet policore janë duke ndërmarrë veprime intensive operative në terren për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash bashkë me komandantin e stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren. Për zbardhjen e plotë të rrethanave, hetimeve u janë bashkuar edhe njësi të tjera policore, të cilat po zhvillohen në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit.