46-vjeçari theret për vdekje, i dyshuari në arrati
Një vrasje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Zlipotok të Dragashit, ku një 46-vjeçar mbeti i vrarë pas një përleshjeje mes disa personave, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se një person dyshohet se është goditur me një mjet të mprehtë gjatë konfliktit.
Policia është njoftuar rreth orës 23:15 për një rrahje në fshatin Zlipotok. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur viktimën të shtrirë në tokë, me lëndime të rënda dhe i mbuluar në gjak.
Ekipi mjekësor nga QKMF-ja në Dragash ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por vetëm ka mundur ta konstatojë vdekjen e 46-vjeçarit.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari është larguar dhe ndodhet në arrati.
Ndërkohë, njësitet patrulluese të Policisë së Dragashit dhe Njësia Rajonale për Siguri të Lartë janë angazhuar në kërkimin e të dyshuarit, i cili ende nuk është arrestuar.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet dhe detajet e reja lidhur me këtë rast të rëndë.

