Ra nga ballkoni bashkë me rrethojat metalike, humb jetën 46-vjeçarja në Shtime
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese.
“Mbrëmë rreth orës 18:50, policia ka pranuar një informatë se një grua ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese në rrugën ‘12 Qershori’ në Shtime. Menjëherë në vendngjarje ka dalë patrulla policore, e cila ka hasur në personin e lënduar, një 46 vjeçare”, tha ai.
Veseli bëri të ditur se viktima fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore, mirëpo nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Më pas ka arritur edhe ekipi i emergjencës së Shtimes, i cili e ka transportuar të lënduarën në QKMF-Shtime për trajtim mjekësor. Rreth orës 19:20 është pranuar informata se e lënduara ka ndërruar jetë”, deklaroi zëdhënësi i policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse hetimore, ndërsa nga dyshimet e para, rënia ka qenë aksidentale për shkak të këputjes së rrethojave metalike të ballkonit.

