Ra nga ballkoni bashkë me rrethojat metalike, humb jetën 46-vjeçarja në Shtime

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Mbrëmë rreth orës 18:50, policia ka pranuar një informatë se një grua ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese në rrugën ‘12 Qershori’ në Shtime. Menjëherë në vendngjarje ka dalë patrulla policore, e cila ka hasur në personin e lënduar, një 46 vjeçare”, tha ai.

Veseli bëri të ditur se viktima fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore, mirëpo nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Më pas ka arritur edhe ekipi i emergjencës së Shtimes, i cili e ka transportuar të lënduarën në QKMF-Shtime për trajtim mjekësor. Rreth orës 19:20 është pranuar informata se e lënduara ka ndërruar jetë”, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse hetimore, ndërsa nga dyshimet e para, rënia ka qenë aksidentale për shkak të këputjes së rrethojave metalike të ballkonit.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa janë njoftuar edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët kanë dalë në vendngjarje. Nga hetimet e para dyshohet se viktima kishte rënë aksidentalisht me gjithë shtyllat metalike (gilindera). Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për obduksion”, tha Veseli.