Nënë, për çfarë sakrifikuam ne – edhe unë, djali yt i vogël u detyrova të largohem nga Kosova!
Kjo në fotografi është nëna ime, Taibe Kurteshi Abdullahu. Falë saj, unë mësova ta respektoj çdo nënë, çdo grua dhe çdo vajzë.
Sepse fuqia e një gruaje nuk matet vetëm me atë që arrin për veten, por edhe me atë që sakrifikon për familjen, për njerëzit dhe për vendin e saj.
Fuqia e Taibe Kurteshi Abdullahut është e vështirë të përshkruhet me fjalë.
Në vitin 1982-85, në një kohë kur për një grua nuk ishte aspak e lehtë të krijonte një punë të pavarur, ajo hapi një butik në qytetin e Gjilanit.
Ishte diçka aq e re dhe e veçantë për atë kohë, saqë disa qytetarë, kur hynin brenda, i përshëndesnin manekinet, sepse mendonin se ishin nuse apo punëtore të vendosura aty për reklamimin e fustaneve.
Por prapa atij butiku nuk qëndronin vetëm fustanet.
Qëndronte guximi i një gruaje që nuk priste që dikush t’ia hapte rrugën.
Ajo rrugën e hapte vetë.
Kur policia e regjimit serb i arrestonte vëllezërit e saj, dajallarët e mi, nëna ime nuk dorëzohej para frikës.
Ajo kërkonte çdo mundësi, çdo njeri dhe çdo rrugë për t’i liruar dhe për t’i mbrojtur nga keqtrajtimi.
Daja im, Nazmi kurteshi nga Livoçi, njëherë kishte qëndruar rreth 8-10 orë në polici.
Kur e kishin liruar, duart i kishte aq të ënjtura nga dhuna, sa dukeshin më të mëdha se këmbët e tij.
Nëna ime nuk u mjaftua vetëm me lirimin e tij.
Ajo kërkoi mjekët më të mirë të qytetit, terapi dhe shërim. Kërkoi ta shpëtonte jo vetëm nga policia, por edhe nga plagët që dhuna ia kishte lënë në trup dhe në shpirt.
Plagët dhe pasojat e atij regjimi ia shkatërruan shëndetin dhe ia shkurtuan jetën.
Por, si shumë histori të tjera shqiptare, edhe historia e tij u mbulua nga heshtja.
Sot atë e kujton familja dhe të gjithë ata që e njohën karakterin, moralin, besnikërinë dhe zemrën e tij.
Kur organizoheshin protestat dhe policia hidhte gaz lotsjellës mbi qytetarët, nëna ime blinte qepë me thasë dhe hapte dyert e shtëpisë dhe të lokaleve tona pranë Xhamisë së Medresesë.
Njerëzit që iknin nga policia futeshin brenda.
Aty gjenin strehim.
Aty merrnin frymë.
Aty merrnin ujë dhe qepë, sipas mënyrave që përdornin njerëzit atëherë për t’i përballuar pasojat e gazit lotsjellës.
Aty nuk pyeteshin se cilës parti i përkisnin, nga cili fshat vinin apo kë njihnin.
Ishin qytetarë shqiptarë në rrezik dhe dera e Taibes ishte e hapur për ta.
Në vitin 1992, kur Kosova organizonte zgjedhjet e veta në kushte okupimi dhe Ibrahim Rugova zgjidhej President i Republikës së Kosovës, nëna ime, Taibe Kurteshi Abdullahu, së bashku me bashkëshortin e saj, babanë tim Remzi Abdullahu, pranuan që në shtëpinë e tyre në Gavran të bëhej numërimi i votave.
Ata nuk e pyetën veten: “Çfarë fitojmë ne?”
Ata pyetën: “Çfarë mund të bëjmë për Kosovën?”
Familja ime ndihmoi aq sa kishte mundësi edhe veprimtarinë politike dhe institucionale të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe LDK-ja.
Jo për poste.
Jo për tenderë.
Jo për privilegje.
Por sepse në atë kohë besohej se duhej të ishim të gjithë bashkë kundër çizmes së pushtuesit.
Një parti nuk duhej të ishte më e rëndësishme se Kosova.
Një udhëheqës nuk duhej të ishte më i rëndësishëm se populli.
Një familje nuk duhej të jetonte mirë, ndërsa mijëra familje të tjera detyroheshin të largoheshin.
E sot, pas gjithë atyre sakrificave, fëmijët e Taibe Kurteshi Abdullahut jetojnë të shpërndarë nëpër botë.
Djali i saj i madh emigroi.
Vajza e saj po ashtu jeton jashtë Kosovës.
Edhe unë, djali i saj më i vogël, ai që për rreth gjashtëmbëdhjetë vjet kontribuoi me kamerë, fotografi, video dhe angazhim politik për ndryshimin e vendit, u detyrova të largohem.
Jo sepse nuk di të punoj.
Jo sepse nuk e dua Kosovën.
Jo sepse më mungon vullneti apo aftësia.
Por sepse në vendin për të cilin sakrifikuan prindërit tanë, hapësirat për punë, zhvillim dhe jetë dinjitoze vazhduan të mbeteshin të kufizuara për shumë qytetarë.
Atëherë, çfarë t’i them unë sot nënës sime?
A t’i them:
Nënë, hape derën për qytetarët, sepse një ditë shteti do t’ua mbyllë dyert fëmijëve të tu”?
A t’i them: “Nënë, ruaji votat, sepse një ditë vota do të përdoret për pushtetin e disa njerëzve dhe jo për mirëqenien e të gjithëve”?
A t’i them: “Nënë, lufto kundër çizmes së pushtuesit, sepse një ditë mbi qytetarët do të rëndojë padrejtësia e njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë”?
Jo, nënë.
Nuk mund të të kërkoj të kthehesh dhe t’i luftosh edhe këta.
Sepse ti pjesën tënde e ke bërë.
Ti i hape dyert.
Ti i strehoje qytetarët.
Ti u ndihmove të burgosurve.
Ti e rrezikove shtëpinë dhe familjen.
Ti e mbështete lirinë në kohën kur liria ishte e ndaluar.
Turpi nuk është i yti.
Përgjegjësia është e atyre që e trashëguan sakrificën, por i harruan sakrifikuesit.
Liria nuk ishte vetëm largimi i policisë serbe.
Liria duhej të ishte drejtësi.
Punë.
Arsim.
Shëndetësi.
Dinjitet.
Dhe mundësia që fëmijët tanë të mos largoheshin nga vendi për të cilin prindërit tanë rrezikuan gjithçka.
Shteti nuk matet vetëm me flamujt që valëviten para institucioneve.
Shteti matet me numrin e qytetarëve që kanë arsye të jetojnë dhe të qëndrojnë në të.
Politika nuk matet me fjalimet për dëshmorët dhe sakrificën.
Matet me mënyrën se si trajtohen familjet dhe fëmijët e atyre që sakrifikuan.
Prandaj sot nuk i drejtohem vetëm një partie apo një politikani.
I drejtohem të gjithëve:
MOS NA FLISNI MË VETËM PËR LIRINË. NA TREGONI ÇFARË BËTË ME TË!
Sepse Taibe Kurteshi Abdullahu dhe mijëra nëna si ajo nuk sakrifikuan që Kosova të bëhej pronë e partive, e familjeve politike apo e grupeve të caktuara.
Ato sakrifikuan që Kosova të bëhej shtëpi e fëmijëve të saj.
Dhe kur fëmijët largohen, ndërsa politikanët festojnë, atëherë shteti duhet ta pyesë veten:
A e fituam vërtet lirinë, apo vetëm e ndryshuam emrin e atyre që vendosin mbi jetën tonë?
Nënë, ti mos u mërzit.
Ti e ke nderuar familjen, qytetin dhe kombin tënd.
Ne, fëmijët e tu, mund të jemi shpërndarë nëpër botë, por në çdo rrugë që ecim e mbajmë me vete emrin, edukatën dhe forcën tënde.
Sepse shtëpia jonë nuk ishte vetëm një shtëpi.
Ishte strehë.
Ishte rezistencë.
Ishte humanizëm.
Ishte shpresë.
Ishte Kosovë.
TAIBE KURTESHI ABDULLAHU – një grua që nuk priti të shkruhej historia për të, por e ndihmoi historinë të ndodhte./Berat Abdullahu – Keqa Full Pac

