Dy kryetarë të këshillave lokalë nuk pajtohen me vendimet e Alban Hysenit

Pas atij të Velekincës, tani edhe kryetari i fshatit në Nasalë del kundër një vendimi të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.

I pari kishte të bënte me hapjen e deponisë në Velekincë për mbeturinat inerte, kurse i dyti ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim të një prone në Nasalë.

“Lidhur me Vendimin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, për dhënien në shfrytëzim të 75 hektarëve tokë kompanisë në fjalë, si banorë të fshatit Nasalë kundërshtojmë dhënien e tokës tonë pa miratimin dhe vullentin tonë!

Përmes ushtrimit të peticionit, nga të gjithë kryefamiljarët e fshatit kemi kërkuar që të ndalohet ekzekutimini këtij vendimi dhe të rishikohet dhe njëhere vendimi duke respektuar edhe vullnetin e komunitetit.

Ndaj edhe përmes këtij reagimi, kërkojmë nga institucionet komunale, përkatësisht Kryetarit të Komunës së Gjilanit, që të marr parasysh kërkesën tonë dhe të ndaloj menjëherë ekzekutimin e këtij vendimi, në të kundërtën do të vazhdojmë të kundërshtojme në rrethana të tjera derisa të merret parasysh vullneti ynë” – thuhet në reagimin e kryetarit të Këshillit të fshatit, Bekim Ukshini.