Zija Haziri, gjysmë shekulli kontribut në sportin kosovar
Ismajl Veliu
Zija Haziri është një ndër emrat më të respektuar të futbollit gjilanas, i cili për më shumë se pesë dekada i ka shërbyer sportit me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri.
Karrierën si futbollist e filloi në vitin 1971, në Ligën Rajonale të Gjilanit, duke mbrojtur ngjyrat e klubit “Tekstili”.
Që në hapat e parë të karrierës u dallua për disiplinën, korrektësinë dhe respektin që gëzonte nga bashkëlojtarët, sportistët dhe dashamirët e futbollit.
Në vitin 1972, ai nisi një kapitull të ri në sport, duke filluar karrierën si gjyqtar futbolli në Lidhjen Rajonale të Gjilanit.
Me punë të palodhur, profesionalizëm dhe vendime të drejta në fushën e lojës, Zija Haziri fitoi besimin e institucioneve sportive dhe u emërua nga Federata e Futbollit të Kosovës për të ndarë drejtësinë në Ligën e Dytë, ndërsa më vonë referoi edhe ndeshje të Ligës së Parë.
Për dekada me radhë, ai u vlerësua si një gjyqtar shembullor, i drejtë dhe me kredibilitet të lartë, duke fituar respektin e futbollistëve, trajnerëve dhe kolegëve të tij.
Pas përfundimit të karrierës aktive si refer, vazhdoi të kontribuojë në futboll edhe në rolin e delegatit të futbollit në Lidhjen Rajonale të Gjilanit.
Pas vitit 2003, Zija Haziri themeloi shkollën e futbollit “Migjeni”, me synimin për të edukuar dhe zhvilluar talentet e reja të futbollit.
Falë punës së tij profesionale dhe përkushtimit të madh, shumë futbollistë të rinj u formuan në këtë shkollë dhe më pas u bënë pjesë e klubeve të njohura të Gjilanit dhe më gjerë.
Kontributi i Zija Hazirit në sport nuk matet vetëm me ndeshjet e referuara apo me vitet e kaluara në fushën e lojës, por edhe me brezat e rinj që ai ndihmoi të rriteshin me frymën e sportit, disiplinës dhe fair-play-t.
Zija Hazirit i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, duke e falënderuar për mbi gjysmë shekulli kontribut të çmuar në zhvillimin e futbollit gjilanas dhe atij kosovar.
Emri i tij mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së sportit në Gjilan.

