Donjeta Sadiku e dërrmon kundërshtaren ruse në “Sofje 2026”
Boksierja Donjeta Sadiku e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në Kampionatin Evropian të Boksit, raporton klankosova.
Sadiku nuk i la shumë hapësirë kundërshtares së saj ruse, Alina Pushkar, duke e mposhtur bindshëm me rezultat 5:0.
Ajo ishte superiore gjatë të tria raundeve, duke treguar qetësi, saktësi dhe kontroll të plotë të përballjes.
Kosovarja e rriti presionin në raundin e dytë, kur arriti ta rrëzojë Pushkarin, duke i dhënë sinjal të qartë për epërsinë e saj në ring.
Pas përfundimit të tri raundeve, pesë gjyqtarët votuan në favor të Sadikut, duke i dhënë fitoren me rezultat të pastër 5:0.
Sadiku garon në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe me këtë fitore siguron kalimin në fazën tjetër të Kampionatit Evropian “Sofje 2026”.

