Huggel: Xhaka është futbollisti më i suksesshëm që ka pasur Kombëtarja e Zvicrës

Ish-futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Benjamin Huggel, ka dalë në mbrojtje të Granit Xhakës.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, Huggel ka thënë se Xhaka duhet të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës nëse çështja nuk sjell pasoja të tjera juridike apo sportive.

“Po” – ka deklaruar Huggel, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Xhaka duhet ta mbajë shiritin e kapitenit.

Sipas tij, vendimi për kapitenin duhet të merret nga trajneri dhe skuadra, e jo nga opinioni publik.

Huggel ka theksuar se çështja e certifikatës së vaksinimit nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si Xhaka vlerësohet si futbollist dhe lider në fushë.

“Për mua, si bashkëlojtar, një certifikatë e falsifikuar e Covidit nuk do të ishte në asnjë mënyrë arsye për të mos i besuar më si kapiten në fushë”, ka thënë ai.

Huggel ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Xhakës për futbollin zviceran, duke e cilësuar atë si një lojtar që ka marrë vazhdimisht përgjegjësi dhe ka qenë i rëndësishëm për kombëtaren.

Ish-futbollisti zviceran ka përmendur edhe disa episode të diskutueshme nga e kaluara e Xhakës, përfshirë festimin me shqiponjën dykrenare së bashku me Xherdan Shaqirin në ndeshjen ndaj Serbisë në Kupën e Botës 2018.

Në fund, Huggel ka dhënë një vlerësim të lartë për Xhakën, duke e konsideruar atë si futbollistin më të suksesshëm që ka pasur Kombëtarja e Zvicrës.