Tetë vajza shqiptare nga e njëjta klasë diplomuan në Zvicër
Tetë vajza shqiptare nga Kosova, të cilat kanë qenë shoqe dhe pjesë e së njëjtës klasë në Bernë të Zvicrës, kanë përfunduar me sukses një etapë të rëndësishme të arsimimit të tyre, duke u orientuar më pas drejt profesioneve të ndryshme, përcjellë ts.
Bleona M., Seade D., Ilire G., Sabina G., Diellza Z., Gentijana B., Emenda K. dhe Nora T. kanë përmbyllur studimet dhe përgatitjen e tyre profesionale në Zvicër, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
Secila prej tyre ka zgjedhur një drejtim të ndryshëm. Në mesin e tyre ka të diplomuara në mjekësi, higjienë dentare, burime njerëzore (HR), si dhe në fusha të tjera të arsimit të lartë.
Ajo që i bashkon është jo vetëm suksesi në arsim, por edhe një histori e përbashkët që nis që nga vitet e shkollimit.
Ato kanë ndarë të njëjtën klasë, kanë ndërtuar miqësi ndër vite dhe, si vajza me prejardhje shqiptare, kanë ruajtur lidhjen me origjinën e tyre.
Përfundimi i këtij rrugëtimi përbën një moment të veçantë edhe për familjet e tyre, të cilat i kanë mbështetur dhe i kanë ndjekur nga afër gjatë gjithë viteve të shkollimit dhe përgatitjes profesionale.
Historia e tetë vajzave është një shembull i rrugëtimit të gjeneratës së re shqiptare në Zvicër, e cila po ndërton të ardhmen përmes arsimit dhe profesionalizmit, duke ruajtur në të njëjtën kohë lidhjet me prejardhjen dhe identitetin shqiptar.
Suksesi i tyre vjen si dëshmi se miqësia e nisur në bankat e shkollës mund të vazhdojë të shoqërojë njëra-tjetrën edhe në rrugëtimin drejt jetës profesionale.

