Arrestohet në kufirin gjermano-francez 34-vjeçarja nga Kosova
Një 34-vjeçare nga Kosova është arrestuar nga Policia Gjermane pasi rezultoi se ndaj saj ishte në fuqi një urdhër arresti, transmeton albinfo.ch.
Gruaja, e cila banon në Francë, po udhëtonte drejt Gjermanisë me autobus ndërkufitar më 6 tetor, kur u ndalua për kontroll.
Gjatë verifikimit të të dhënave, policia konstatoi se ajo ishte në kërkim të autoriteteve gjermane.
Sipas policisë, 34-vjeçarja ishte dënuar nga një gjykatë gjermane vitin e kaluar me gjobë për një vepër penale të lidhur me sulm.
Meqë ajo nuk e kishte shlyer shumën e caktuar, Prokuroria kishte lëshuar urdhër arresti në fund të vitit 2025.
Pasi e arrestuara nuk ishte në gjendje ta paguante menjëherë gjobën e mbetur, ndaj saj u zbatua dënimi zëvendësues me burgim.
Sipas autoriteteve gjermane, 34-vjeçarja do të vuajë 30 ditë burg.

