E kemi fitu lirinë, po a jemi çliru edhe prej frikës?

Shkruan: Selatin Mehmeti

Ne si komb, si shoqni, si familje e si individë, kemi bartë me shekuj frikë, ankth e vuajtje prej pushtuesve të ndryshëm që kanë sundua në trojet tona.

Brez pas brezi jemi rritur me rrëfime për luftëra, dhunë, padrejtësi e mbijetesë dhe erdhi koha që edhe ne si gjeneratë i përjetuam të gjitha ato që kishin përjetue parardhësit tanë. Tregime të njejta trauma të njejta.

Sot e kemi fatin me jetu në liri, falë djemve e vajzave, burrave e grave që kanë luftu e kanë dhanë jetën për këtë ditë.

Lirinë e Kosovës e kemi pagu shtrenjtë, me gjakun e dëshmorëve e të viktimave të pafajshme.

Ne që jetojmë sot e kemi pasë fatin me e përjetu çlirimin, diçka për të cilën shumë breza para nesh veç kanë mujtë me ëndërru.

Po, a jemi ndalë ndonjëherë me mendu se çfarë na kanë lanë gjithë ato vuajtje?

Ndoshta nuk e kuptojmë, po nganjëherë po duket sikur e kemi fitu lirinë, por ende nuk jemi çliru prej frikës.

Gjithmonë jemi në kërkim të armiqve, gjithmonë dyshojmë te dikush dhe shpesh sillemi sikur jemi ende në luftë e jo në paqe.

Shikojeni pak jetën tonë të përditshme.

Në Kuvend shajnë e fyhen, në futboll shpesh humbet kontrolli, në komunikacion s’ka durim e as respekt.

Shko te mjeku, në bankë a në komunë, aty ku duhet me pritë në rend, e sheh se sa pak tolerancë kemi.

Secili don me dalë i pari, secili mendon se po i bëhet padrejtësi e pak kush ka durim me pritë e me e respektu tjetrin.

Sikur jemi ende me frikën se dikush po na e merr atë që na takon, sikur duhet me u ngutë e me u mbrojtë prej dikujt.

Po kush është ai armik o vëlla, sillemi sikur na e ka nxanun robë të shpisë armiku e hygjym me hi e me dalë pa rend.

Ndoshta një pjesë e kësaj mënyre të të menduarit lidhet edhe me të kaluarën tonë.

Kur paraardhësit tanë kanë jetu me shekuj nën pushtim, kur frika e pasiguria kanë qenë pjesë e jetës së përditshme, ato përvoja kanë mujtë me lanë gjurmë edhe te brezat që kanë ardhë ma vonë.

Jo gjithçka që bëjmë sot vjen prej së kaluarës, por as nuk mundemi me e mohu që ajo ka ndiku në mënyrën si jemi rritë e si sillemi me njëri-tjetrin.

Problemi është se lufta mund të përfundojë, por mendësia e luftës nuk largohet gjithmonë bashkë me të.

Na duhet me mësu se liria nuk është veç mos me pasë pushtues mbi krye.

Liri është edhe me pasë durim, me respektu tjetrin, me pranu mendimin ndryshe e mos me e pa secilin si kundërshtar.

Nuk mundemi me kërku një shoqni ma të mirë, nëse vazhdojmë me u sjellë sikur secili është kundër nesh.

E njëjta vlen edhe për Shqipërinë dhe nostalgjinë për Enver Hoxhën nga disa kosovarë që mendojnë se vetem E. Hoxha u del hakësh këtyre qe po e dhezin shtetin.

Për mua është e papranueshme me e glorifiku një regjim që për 50 vjet la pas burgosje, internime, frikë, skamje e familje të shkatërruara.

Pasojat e atij regjimi nuk përfunduan me rënien e tij, por vazhduan me i bartë edhe brezat që erdhën më vonë. Kjo është pasojë e regjimit.

Po të kishte qenë Shqipëria e Enver Hoxhës e lidhun me Perëndimin, e jo e izolueme prej tij, besoj se sot do ta kishim një gjendje krejt tjetër, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Historia mund të kishte marrë një drejtim tjetër, e pasojat që i bartim sot si shoqni mund të kishin qenë ndryshe.

Prandaj, të kaluarën duhet me e kuptu, jo me e zbukuru.