Mulla Ali Hajrulla Aliu – shqiptari i arsimuar i vitit 1901

Ka njerëz që jetojnë vetëm për kohën e tyre dhe ka të tjerë që edhe pasi largohen nga kjo botë, vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e brezave që vijnë pas tyre. Mulla Ali Hajrulla Aliu i përkiste kësaj kategorie të rrallë njerëzish. Ai nuk ishte vetëm një dijetar i kohës së vet. Ai ishte një hallkë e artë në zinxhirin e gjatë të kujtesës, kulturës dhe emancipimit shqiptar.

Shkruan: Blinerë Shaqiri

Në një kohë kur për Karadakun shpesh shkruhet pak, e ndonjëherë padrejtësisht paraqitet si një trevë e mbetur në skajet e zhvillimit intelektual, jeta e Mulla Aliut dëshmon të kundërtën. Ajo vërteton se edhe në këto vise kishte familje të ndriçuara, njerëz të dijes dhe një qytetërim të theksuar e të gjallë, që ushqehej me librin, me fjalën dhe me ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

Ka njerëz që jetojnë vetëm për kohën e tyre dhe ka të tjerë që edhe pasi largohen nga kjo botë, vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e brezave që vijnë pas tyre. Mulla Ali Hajrulla Aliu i përkiste kësaj kategorie të rrallë njerëzish. Ai nuk ishte vetëm një dijetar i kohës së vet. Ai ishte një hallkë e artë në zinxhirin e gjatë të kujtesës, kulturës dhe emancipimit shqiptar.

Lindi në vitin 1869, në fshatin Llovcë të Gjilanit, në një familje që e kishte bërë atdhedashurinë dhe dijen mënyrë jetese. I ati, Hajrullahu, njihej si një burrë mendje hapur, me zemër të madhe dhe me ndjenja të thella kombëtare. Oda e tij nuk ishte thjesht një vend mikpritjeje, bllok dritash, por një vatër kuvendesh, idesh dhe shprese për shqiptarët e asaj kohe. Të parët përcjellin deri sot një thënie të atribuuar të patriotit të madh Bajram Curri:

“Besa, n’Karadak s’kam pa odë ma të rregullueme se t’Hajrulla Aliut.”

Mësimet e para Aliu i mori nga hoxha i fshatit të tij. Më pas vijoi studimet në medresenë e Dobërçanit. Në familjen e tij kishte zënë vend herët bindja se armiku nuk mund të mposhtej vetëm me pushkë, burim zjarri, por mbi të gjitha me pendë, me dije dhe me vetëdije kombëtare. Kjo filozofi do të bëhej boshti i jetës së tij.I etur për njohuri më të thella, ai fitoi bursë studimi në Shkup, në Medresenë e Medahut – institucion që për kohën përfaqësonte nivelin më të lartë të arsimimit që mund të ndiqej në Ballkan dhe që krahasohej me studimet universitare. Ky institucion shërbeu si qendër kryesore për përgatitjen e kuadrove elitare  teologjike, ulemave (dijetarëve) dhe gjykatësve për mbarë Vilajetin e Kosovës.Mësuesit e kësaj qendre ishin njerëz që punonin edhe në insitucione të tjera nga më të lartat pedagogjike të kohës. Aty ai nuk u kufizua vetëm në teologji. Studioi jurisprudencën, matematikën, aritmetikën, gjuhën arabe dhe gjuhën turke, duke ndërtuar një horizont të gjerë intelektual.Diploma e përfundimit të studimeve ruhet edhe sot në familje, si një dëshmi e prekshme e përkushtimit të tij ndaj dijes. Me përfundimin e këtyre studimeve, në vitin 1901, atij iu dha titulli “Mulla”, një titull që në atë kohë fitohej vetëm përmes përgatitjes së lartë arsimore dhe që mbante peshën e respektit shoqëror e intelektual.Pas studimeve, ai u kthye në vendlindje, duke zgjedhur të kontribonte për popullin e tij. Shërbeu si imam për 12 fshatra të Gjilanit, por edhe si ofiqar shtetëror ku kryente regjistrimet e popullsisë dhe kurorëzimet, duke qenë kështu një figurë e rëndësishme e jetës shoqërore. Zotëronte në të folur dhe në të shkruar (në nivel të lartë) katër gjuhë: shqipen, arabishten, turqishten dhe kroatishten. Në një kohë kur analfabetizmi ishte ende plagë e madhe për popullin shqiptar, ai përfaqësonte modelin e shqiptarit të arsimuar, të vetëdijshëm dhe të rrënjosur në identitetin e vet.

Përveç pjesës intelektuale, ai ishte edhe një patriot i madh shqiptar. Ishte anëtar aktiv i “Lëvizjes Nacional- Demokratike Shqiptare” (LNDSH), organizim politik antikomunist që kishte për qëllim ribashkimin e shqiptarëve në një Shqipëri demokratike, të radhitur krahas vendeve perëndimore. Kjo lëvizje ishte krijuar nga patriotë shqiptarë që kishin dhënë kontributin e tyre edhe në Lidhjen e Dytë të Prizrenit.Padyshim, rrethi miqësor i Mulla Aliut përbëhej nga njerëz me pedigre dhe peshë kombëtare, si: Ramiz Cërnica, Mulla Idriz Gjilani, Hasan Remniku, Haki Efendi Sermaxhaj e të tjerë, me të cilët kishte miqësi të fortë. Duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme nga okupatori, Mulla Aliu u detyrua t’a lëshonte Llovcën dhe të shpërngulej në Capar me gjithë familjen e tij. Në këtë rrugëtim të vështirë, ai u përcoll nga vetë Ramiz Cërnica dhe Hasan Remniku, pasi shpërngulja e një njeriu me autoritet dhe intelekt të lartë përbënte rrezik të madh.Pikërisht kjo peshë specifike e bëri atë objekt të përpjekjeve të pushtuesit për ta larguar  edhe nga atdheu. Autoritetet pushtuese e dinin mirë se nëse do të arrinin ta bindnin ose ta detyronin Mulla Aliun të shpërngulej në Turqi, do të kishin hapur rrugën për zbrazjen e një krahine të tërë. Atij iu premtuan poste prestigjioze si: Imam në xhamitë më të mëdha të Stambollit, banim në lagjet më të njohura të Stambollit bashkë me familjen e tij  dhe përfitime të shumta materiale.

Por Mulla Aliu ishte i prerë!

As madhështia e Stambollit, as pasuria,e as privilegjet nuk mundën ta zëvendësonin aromën e dheut të vendlindjes dhe përgjegjësinë që ndiente ndaj popullit të tij. Ai zgjodhi të mbetej aty ku kishte lindur, aty ku rrënjët e tij kishin depërtuar thellë -në tokën e Karadakut.

Përveç, vlerave intelektuale dhe kombëtare, ai ishte i njohur në tërë Karadakun për bujarin,urtësinë,sinqeritetin pra një sistem i tërë vlerash të larta njerëzore.Në çdo tragjedi që kishin familjet në këto anë,Mulla Aliu ishte ndër të parët që ja zgjaste dorën e ndihmës atyre me metodat e tij psikologjike e fetare (tejet të avancuara për rrethanat e kohës),duke treguar kështu që diploma e shkollimit të tij ishte marr në mënyrë që t’i shërbente popullit me devotshmëri,pa u krekosur për arritjet e veta.Pra ,edhe sot e asaj dite kur flitet për njerëzit me ndikim të asaj ane,përmendet edhe figura e tij si shembull unik i një personaliteti të rrallë.

Mbi një shekull më vonë, stërmbesa e tij, Blinera, arkitekte me profesion, flet për të me një krenari të qetë, por të thellë:

“Brezi ynë shpesh ka prirjen t’ia atribuojë vetes çdo sukses, gjithë mendësinë dhe çdo vizion. Por unë e di se mendësia që ka frymëzuar familjen time nuk ka lindur me ne. Ajo është trashëgimi e një brezi të artë që mbolli vlera, dije dhe dinjitet shumë kohë përpara se ne të vinim në këtë botë.Në përvojat e mia ndërkombëtare, sa herë diskutohej për emancipimin e kombeve në konferenca të ndryshme, unë u tregoja me krenari auditoriumit se edhe ne shqiptarët kishim historitë e tona të hershme të emancipimit arsimor. Madje, një prej tyre e mbaja në trungun tim familjar.

Jam rritur si pjesë e pandashme e gjyshit tim. Ai më tregonte pa pushim, me mall në sy dhe krenari në zë, histori për gjyshin e tij, Mulla Aliun. Në shtëpinë tonë ruhet ende libri  me të cilin ai kishte studiuar si bursist në Shkup – një libër që ka mbijetuar më shumë se një shekull. Gjyshi im, për ta mbrojtur, ia kishte veshur një kopertinë të re duke e përshtatur me origjinalin, sepse koha kishte lënë gjurmët e saj mbi të.Sot gjyshin nuk e kam më por ai libër ndodhet në vendin më të bukur dhe më të dukshëm të dhomës tonë të ditës. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, sytë më ndalen mbi të. Ai më kujton se asnjë sukses nuk lind nga hiçi. Se pas çdo hapi që bëjmë, pas çdo ëndrre që realizojmë, qëndrojnë njerëzit që ecën para nesh, që sakrifikuan, që studiuan, që besuan dhe që na lanë trashëgim jo pasuri materiale, por diçka shumë më të çmuar: një mënyrë të të menduarit.Dhe sa herë e shoh atë libër të vjetër, e kuptoj se shumë nga ajo që jam sot nuk është vetëm meritë e imja. Është meritë e të gjithë atyre brezave të mi që me durim, përkushtim dhe dashuri për dijen, i bartën këto vlera dorë më dorë, zemër më zemër, deri tek ne. Sepse njeriu nuk është vetëm fryt i kohës në të cilën jeton. Ai është vazhdimësi e mendjeve që e ushqyen shumë kohë para se të mësonte të ecte vetë.”

Për Mulla Aliun janë shkruar edhe libra nga akademikë dhe profesorë:

“Imamët e Gjilanit 1912-2015” – Islam H. Osmani (ku informacionet  si dhe fotografinë e portretit të Mulla Aliut i kishte dhënë gjyshi im, Ahmed Aliu).

“Një jetë për fe e atdhe (1914-1948) – Muderriz Haki Efendiu”.

Mulla Aliu deri në frymën e fundit punoi për atdheun dhe popullin e tij, kështu duke e përmbushur me sukses misionin e babait të tij. Ndërroi jetë në vitin 1942, ku u varros në varrezat e fshatit Capar.Figurat emblematike si ai janë rrallë të përsëritshme, andaj është obligimi ynë t’i mbajmë gjallë brez pas brezi, duke kujtuar se 100 vite s’janë kohë e gjatë për t’i lënë njerëzit me peshë të lartë historike në harresë. Aq më tepër të jemi zë i vazhdueshëm i gjithë atij sistemi të vlerave që ata bartën e që ne e kishim fatin e botës t’i kishim pjesë të familjes.

(Autorja është master i arkitekturës & multimedia)