Në Stubëll, asgjë tragjike s`ka ndodhur, asnjë traditë s`është mohuar

Shkruan: Sarë GJERGJI

Stublla ka dy muaj që po mbahet në izolim për shkak të COVID-19. Aty u raportua për një 77 vjeçar të prekur me virusin korona.

Ky dhe ishte rasti i parë i raportuar në Kosovë. I infektuari (që ishte kthyer nga Italia) ka pasur prej vitesh dhe sëmundje të tjera, madje mjaft serioze.

Si pasojë, ai ka infektuar dhe anëtarët e tjerë të familjes. Për ironi të fatit, 77 vjeçari i sëmurë u shërua (bashkëshortja e pa infektuar), ndërkaq i biri, reja dhe nipërit vazhdojnë ende të jenë të infektuar (gjithnjë sipas IKSHB të Kosovës), pavarësisht faktit se ata për asnjë moment të vetëm nuk kanë dhënë as edhe një simptomë të vetme infektimi.

Kjo situatë, të cilën stubllasit e kanë kaluar të vetëm dhe me një kulturë e qytetari të lartë (nga stubllasit askush nuk u infektua; rasti mbeti i izoluar…), është krejt normale të reflektojë edhe me sjellje që për dikë mund të duket e paarsyeshme.

Por jemi dëshmitarë që institucione relevante në nivel vendi dhe në rajonin përreth, po kërkojnë forma të ndryshme organizimi për të thyer monotoninë e krijuar gjatë kohës së pandemisë, në mënyrë që të pakësojë e largojë stresin.

Kjo edhe në funksion të mbajtjes gjallë të një fryme edhe arti e për një shëndet të mirë.

Në këtë kontekst e shoh edhe gëzimin e një grupi të qytetarëve të Stubllës, për të cilët u raportua në Klan Kosova Tv.

Pas raportimit në këtë medium, për gjoja organizimin e një ahengu familjar në një lokal në Stubëll, ku dyshohet se kishte dhe persona të prekur me COVID-19, si qytetar i Stubllës dhe për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, nuk mund të mos shpreh mendimin tim lidhur me rastin.

Së pari, ajo që ka ndodhur në familjen e z. A.D., i cili është ndaluar (për 48 orë) nga policia, nuk ka të bëjë me organizimin e kurrfarë ahengu familjar. Gjithçka ka ndodhur spontanisht dhe krejt kjo brenda hapësirës së shtëpisë së A.D. dhe jo në ndonjë lokal.

Gjithashtu, të gjithë personat pjesëmarrës në të ashtuquajturin aheng, janë familjarë e në lidhje familjare: A.D. është me djalin dhe vëllain e vet, me kushëririn, shtëpitë e të cilëve janë 15 m larg njëra- tjetrës, me nipin, fqinjin dhe dy familjarë të bashkëshortes.

Është i pasaktë informimi se personat në fjalë dyshohen se janë të prekur me COVID-19. Kush i kontrolloi ata për të hedhur dyshimet se gjoja qenkan të prekur nga virusi?!

Shihet fare qartë se të gjithë personat gëzojnë shëndet të plotë. Se dy vëllezër, të pranishëm aty, paskan një motër të prekur nga virusi, nuk mund të shërbejë si pretekst për t’u bërë lajm.

Motra e tyre, sikundër dhe shumë motra të të tjerëve, është e martuar dhe ka jetën e familjen e vet. Pra, nuk jeton me vëllezërit.

Reagimin e personave që shihen tek pinë e këndojnë, e shoh si reflektim të kohës prej 2 muajve izolim të Stubllës, e shoh si këngë – mesazh të shpresës, të dashurisë për jetën dhe sfidues përballë të keqes.

Më mirë të këndojmë e pimë në shtëpi, se sa të manifestojmë dhunë në familje (që mund të paraqitet si shkak i mbylljes) apo të dalim rrugëve…

Kur një stubllasi i shkon dikush në shtëpi, i zoti i shtëpisë i thotë: “Mirë se vini e mirë se u ka pru, Zoti!”, e kur dikush këndon, i thonë: “Ju këndoftë zemra!”

Ja, kjo ka ndodhur në Stubëll.

Krejt në fund, a nuk shohim gjithandej nëpër Kosovë, lëvizje të qytetarëve, lokale të hapura?

Por ja që u dashka të bëhet lajm ndeja në shtëpi! Sërish Stublla, qengji i mirë…

Nëse nuk mund ta ndihmoni Stubllën, së paku lëreni të qetë e mos e torturoni atë.

Stublla ndër shekuj ka ditë si të jetojë, si të ecën përpara dhe si t’i ndihmojë të tjerët e pa pritë falënderim e të ndihmohet nga kushdo qoftë.

Stublla, përgjatë gjithë historisë së saj, s’ka pritë as pret që jetën e tyre ta ndihmojë pushteti e shteti.