Dikujt mund t’i kemi borxh ndonjë ditë e dikujt i kemi gjithë jetën

Shabi Selimi

(Me ketë letër dua të falënderoj publikisht njerzit që i kujdesën gjatë luftës për shëndetin tonë të rënduar pas plagosjes nga forcat serbe në sulmin ndaj fshatit Bresalc 10 prill 1999.)

Në mëngjesin e hershëm shumë forca serbe të pajisur me shumë teknik lufte mësynë Bresalcin duke vrarë e plagosur shumë njerëz të pafajshëm. Në mesin e të plagosurve isha edhe unë, Shabi Selimi dhe vëllai im, Nexhati dhe shumë të tjerë të vrarë e plagosur.

Natën e kaluam në male me shumë të larguar. Plagët shkaktonin dhembje të padurueshme, sidomos nëse lëviznim. Shpresat i kishim humbur për jetë pasi që plagët ishin të rënda dhe vështirë të shërueshme në ato kushte malesh. I gjithë mali ishte mbushur më të ikur nga flakët e luftës. Serbët ishin të pamëshirshëm këdo që e kapnin.

Pranë nesh qëndronte nëna e cila mundohej të na ndihmonte ma atë çka mundej, por zemra i digjej flakë nga dhembja që ndjente për ne. Ajo nuk qante hallin e vetë, por qante djemtë që do vdisnin në male nga plagët e armikut. Ajo ndjente frikën se do na zinin të gjallë, sepse kishte një përvojë nga lufta në Bosnje, ku kishte pësuar familja e gjërë e saj…

Aty në male, plagët na lidhën infermierët që ishin nga fshati, Tahire Syla dhe Nizajete Muji, por në rrethana të tilla nuk mund të bënin më shumë.

Dikur natën vonë, sikur nga qielli erdhi shpëtimi ynë. Kurrë s’kam qenë më i lumtur kur pranë nesh u shfaqen ushtarët e UÇK-së. Shemsi Syla-Shema, komandant, kishte dhënë urdhër që të tërhiqen të plagosurit drejt zonës së kontrolluar nga UÇK-ja. Kurrë më afër nuk kisha parë ushtarët tanë. Ata ngjasonin në engjujt shpëtimtarë. Erdhën për të na evakuar drejt vendeve më të sigurta.

Sa më kujtohet, ishin Giner Kamberi, Raif Musliu-Kumanova, Abdurrahman Ramadani, Avdullah Uruçi, Skender Veseli, Shemsi Syla, Elisah Ymeri, Veli Murati, Rexhep Veseli, Daut Ilazi-Shpati ndoshta edhe ndokush tjetër që nuk më kujtohet pasi që ishte dhe natë dhe vështirë ishte të mbash mend pamjet e tyre.

Rruga drejt spitalit të UÇK-së në Zhegoc, ishte jo e lehtë dhe me shumë rreziqe. Serbët ishin kudo, sidomos në vendet kyçe të rrugëve. Ishte errësirë e plotë dhe nuk shihej asgjë. Më në fund arritëm natën vonë në Zhegoc. Për ne mjaftonte që më nuk ishim nën shiun dhe motin e ftohtë që mbretëronte.

Aty në spital ishte më mirë, ishte ngrohtë dhe kishim të gjitha kushtet. Personeli shëndetësor na dha terapi kundër dhembjeve dhe barna tjera të nevojshme. Unë isha më rëndë i plagosur dhe kisha nevojë për ndërhyrje kirurgjike, andaj më dërguan në Gjilan tek Poliklinika Kirurgjike ‘Diagnoza’ ku më ka bërë ndërhyrje Dr Nexhat Shabani-Urolog, së bashku me Dr Fatmir Parashticën-Anesteziolog.

Deri në Bresalc më ka dërguar Bejta i Livoçit dhe nga aty në Gjilan më ka dërguar Ramush Selimi – mësues nga Bresalci. Ishte një rrezik i madh për të na zënë rrugës forcat serbe por fatmirësisht arritëm pa u takuar me ta.

Pastaj jam kthyer në Zhegoc, në spitalin e UÇK-së, ku kam marr trajtimin nga personeli mjekësor i UÇK-së, Bejtush Murati, Elhame Sallahu dhe Sabedin Sherifi. Kujdesi i personelit të UÇK-së ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata gjithë kohën ishin me ne duke u kujdesur për terapinë dhe nevojat tjera, pasi që ishim gati të pa lëvizshëm.

Në spital në Zhegoc na kanë vizituar një ekip mjekësor nga Sllovia, sa më kujtohet ishte Dr Ragip Bytyqi dhe atyre tjerëve nuk ua mbaj mend emrat. Po ashtu edhe nga Gjilani ishte ekipi i Poliklinikës Diagnoza.

Lëvizja ishte shumë e vështirë për këdo që ka mësyrë rrugëve drejt zonës ku operonte UÇK-ja, andaj e kuptoj rrezikun nëpër të cilin kanë kaluar ata.

Ofensiva e 15 prillit, neve na gjeti në Spitalin e UÇK-së në Zhegoc. Flakët e luftës përfshin gjithë malësinë dhe dikur kah mesdita na thanë të largohemi nga spitali drejt maleve në vende më të sigurta.

Lëvizja ishte e vështirë pasi që tereni ishte i thyer dhe plagët shkaktonin dhembje të pa durueshme. Falë ushtarëve dhe personalit mjekësor, arritem të tërhiqemi.

Mali ishte mbushur me shumë njerëz të ikur nga vendet tjera. Lufta vazhdoi gjithë ditën, deri në mbrëmje. Ruga jonë vazhdoi drejt Plitkoviçit, në odën e Murat Kelmenit. Djali i tij Naseri na barti me një qerre kuajsh deri në shtëpinë e tij. Asnjë shtëpi nuk kishte vend për të hyrë pasi që ishin stërmbushur me njerëz që largoheshin nga zonat e luftimeve.

Personeli shëndetësor i UÇK-së na dha barna dhe na ofroi kujdes edhe pse ishte vështirë pasi që nuk kishte as dritë, thjesht ishte një errësirë e plotë.

Të nesërmen në mëngjesin e hershëm duhej të vazhdonim drejt Vrellës e Gadimës. Lëvizja jonë ishte e pa mundur, por falë Ruzhdi Rashitit dhe Islam Sopit me qerre me kuaj të Murat Kelmenit u larguam drejt Vrellës dhe Gadimës. Aty në Gadime na morën banorët nëpër automjetet e tyre dhe vazhduam rrugën për Shqipëri. Atje jemi mjekuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një kohë të gjatë, pasi që nga trupi ynë u nxorën shumë plumba.

Me këtë shkrim deshta të falenderoj gjithëkend që është marrë me ne në këtë rrugë të rëndë që kemi kaluar, ku plagët e asaj kohe ende vazhdojnë të na rëndojnë jetën tonë. Posaçërisht u kemi borxh ushtarëve të UÇK-së, në veçanti komandantit Shemsi Syla dhe personelit të Spitalit të UÇK-së dhe atij ushtarak të Tiranës, Poliklinikës Diagnoza dhe të gjithë atyre që na ndihmuan në forma të ndryshme.

Lutem për falje nëse ndokend nuk e kam përmendur pasi që ka kaluar kohë e gjatë dhe e kam vështirë të mbaj në mend gjithë ata njerëz që ishin pranë nesh në atë kohë të vështirë.

Po përmbylli këtë letër me titullin e kësaj letre se dikujt i kemi borxh ndonjë ditë e dikujt gjithë jetën!