As fshatrat pas ‘shtatë bjeshkëve’ nuk shpëtuan nga dhuna, por nuk u gjunjëzuan asnjëherë përballë të keqes
Sllakoci, Gadishi dhe Kishnapola, vendbanime të fshehura mes bjeshkëve, përjetuan dhunë, represion dhe shpërngulje të detyruar.
Megjithatë, banorët e tyre nuk e humbën kurrë lidhjen me tokën e të parëve.
Banorët e anës së Sllakocit, Gadishit dhe Kishnapolës, ndonëse vendbanimet e tyre i kishin ndërtuar pas shtatë bjeshkëve, larg syrit të pushtetit, gjatë historisë nuk arritën t’i shpëtonin dhunës dhe terrorit të pushtuesve të ndryshëm.
Për pasojë, shumë familje u detyruan të migrojnë në vende të ndryshme të botës.
Gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, në kohën e ish-Jugosllavisë, shumë fshatarë u rrahën brutalisht, disa deri në vdekje.
Të tjerë u detyruan të dorëzonin armët që i kishin, por edhe ato që nuk i kishin, ndërsa një pjesë u detyrua të braktiste vendlindjen.
“Banorët u desh t’i linin shtëpitë dhe tokat e tyre e të iknin në Turqi, për të shpëtuar kokën”, thotë mësuesi Ramadan Mehmeti.
Njëri ndër ta ishte edhe Brahim Sylë Ibrahimi, i cili për 30 vjet jetoi larg vëllezërve dhe bashkëfshatarëve të tij, për t’u kthyer më vonë në tokën e të parëve.
Dhuna dhe represioni ndaj shqiptarëve vazhduan edhe në vitet e mëvonshme, por, siç thekson Mehmeti, ky popull nuk u gjunjëzua asnjëherë.
Për shkak të padrejtësive dhe diskriminimit nga pushteti sllav, shumë të rinj nga Kishnapola u detyruan të migronin në Gjermani dhe Amerikë, duke ndjekur, në njëfarë mënyre, fatin e paraardhësve të tyre.
Ndër ta ishte edhe Rexhep Xhakli, i cili, së bashku me shqiptarë të tjerë në Amerikë, kontribuoi në mbështetjen e luftës së Kosovës.
Xhakli dëshmoi se, sado larg të shkojë shqiptari, vendlindjen e mban gjithmonë në zemër.
Por kjo anë nuk ruan vetëm kujtime dhimbjeje e mërgimi. Ajo ka edhe një pasuri të jashtëzakonshme natyrore, me mundësi të mira për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe turizmit malor.
Fshatrat, të rrethuara me kodrina të buta dhe të pasura me burime ujore, kanë toka pjellore, ku prodhohet grurë me cilësi të lartë, madje edhe më të mirë se në tokat e Banatës së Vojvodinës, e njohur për sipërfaqet e saj të mëdha me grurë.
Banorët e kësaj ane janë të lidhur ngushtë me tokën dhe bjeshkët e tyre, të cilave nuk mund t’ua kthejnë shpinën lehtë.
I tillë ishte edhe Zenuni, i cili, megjithëse jetoi i vetëm, nuk e braktisi fshatin dhe qëndroi aty deri në fund të jetës.
Historia e këtyre vendbanimeve është histori e dhunës, sakrificës, mërgimit dhe qëndresës, por edhe e dashurisë së pashuar për vendlindjen.
Edhe pas shumë vitesh larg, rrënjët mbeten të forta dhe toka e të parëve vazhdon t’i thërrasë bijtë e saj.
Sllakoci, Gadishi dhe Kishnapola mbeten dëshmi se, edhe kur njeriu detyrohet të largohet nga vendlindja, kujtimi, dashuria dhe lidhja me të nuk shuhen kurrë./MediaFokus/

