Pazari i Vjetër – një qytezë e vogël brenda qytetit

Qytetet shqiptare, si Shkodra, Kruja, Gjakova, Korça, Tirana etj., karakterizoheshin nga pazaret e tyre, të cilat kishin karakteristikat estetiko-arkitektonike.

Tirana u themelua në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, me origjinë nga fshati Mullet dhe për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418, në një dokument të Venedikut.

Nga shekulli XVII Tirana (Tirona në të folmen e këtij vendi) nisi të zhvillohej dhe u pajis me një pazar, që do të emërtohej Pazari i Vjetër, shkruan tirona.info

Pazari i Vjetër ndodhej brenda një hapësire të kufizuar nga lindja me rrugën “Mbretërore” (e Barrikadave); nga veriu me Rrugën e Dibrës; në pjesën jugore, me Rrugën “28 Nëntori” dhe nga perëndimi me Sheshin “Skënderbej”. Shtrirja e tij ishte në një sipërfaqe afërsisht prej tre hektarësh.

Në vendin që organizohej shitja e gjësendeve të ndryshme ishin të ngritura disa shtëpi të vogla njëkatshe e ndonjë edhe dykatëshe. Ato ishin të ndërtuara prej qerpiçëve e tullave. Sipër kishin strehë prej druri dhe qëndronin ngjitur me njëra-tjetrën.

Rrugicat e ngushta e të shtruara me kalldërm të çonin drejt këtij vendi ku nga brenda mund të shiheshin hunj të ngulur e që shërbenin për lidhjen e kuajve të njerëzve që vinin nga vendet e largëta apo fshatrat përreth. Në anën tjetër, edhe para se të afrohesh në këtë vend, pra nga një distancë e konsiderueshme vërehej lehtësisht Xhamia e Pazarit.

Hyrja në Pazarin e Vjetër bëhej nga ana e xhamisë së Haxhi Et’hem Beut, ose nga rruga e Dibrës, në anë të Mapos.

Qysh në mëngjesin e hershëm, te Pazari i Vjetër uleshin qepenat e dyqaneve dhe vareshin: kapistrat, kularët, opingat apo këpucët, këtyre të fundit që punoheshin me qafa u thonin kundra, pastaj veshje karakteristike të grave të fshatit, dimitë e mëndafshta, linjat e qëndisura me ar, jelekë, qeleshe të bardha dhe çibukët të ndryshëm që shkonin deri në një metër gjatësi.

Të gjitha këto punime kishin mjeshtërit e veçantë.

“Rruga e farkatarëve” ishte e mbushur me zeje, fjala vjen: mangallë, kusia e tava prej bakri, nagaçe, masha, kandila, të cilat përpunoheshin nga mjeshtërit më të shhquar të vendit.

Nga ndonjë gjellëtore përhapej era e mirë e qofteve të pazarit, të cilat shijonin edhe më shumë se ato të shtëpisë. Aromë edhe më e mirë vinte nga tezgat lëvizëse të shitësve të kukurecëve.

“Rruga e argjendarëve” ishte pjesa ku shiteshin unaza sermi e floriri, varëse, vathë, kuti duhani, byzylykë etj. Natyrisht këtu kishte edhe rrugë të tjera.

Në vitin 1947, kur këtij vendi i ra kazma, nga aty u shpronësuan 99 pronarë. Po të ekzistonte ende Pazari i Vjetër do të kishte vlera të mëdha historike, turistike dhe kulturore./Mediafokus.info