Kosova duhet të flasë më pak dhe të punojë më shumë për drejtësinë në Hagë
Izmi Zeka
Po e filloj këtë shkrim jo për të kritikuar, as për t’i dhënë mend dikujt apo për të mbajtur ligjërata, por për të tërhequr një vijë ndarëse rreth një çështjeje që tash e gjashtë vjet vetëm sillet nga një zyrë në tjetrën, nga një debat në tjetrin dhe nga një takim në tjetrin.
Nuk ka nevojë të tregojmë se kush ishte Hashim Thaçi, kush ishin luftëtarët e lirisë dhe as të bindim njëri-tjetrin, pas 27 vjetësh nga përfundimi i luftës, se çfarë lufte bënë shqiptarët e Kosovës.
Ajo është dokumentuar jo vetëm nga ne, por edhe nga bota demokratike, e cila ishte pjesë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve që përcaktuan fatin e Kosovës.
NATO-ja, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërhyri ushtarakisht kundër Serbisë, në një moment historik të paprecedentë pas Luftës së Dytë Botërore.
Nuk kemi nevojë ta bindim vetveten se kush ishte Hashim Thaçi dhe cili ishte roli i tij.
Për këtë flasin dokumentet, si në Kosovë, ashtu edhe në arkivat ndërkombëtare, përfshirë ato amerikane dhe evropiane.
Arkivat diplomatike dëshmojnë për komunikimin dhe marrëdhëniet e tij me përfaqësuesit më të rëndësishëm ndërkombëtarë gjatë periudhës së luftëra, pasluftës, shpalljes së pavarësisë dhe procesit të njohjeve ndërkombëtare.
Prandaj, le t’ia lëmë historisë atë që tashmë është shkruar me shkronja të arta për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për rolin e Hashim Thaçit.
Këtë realitet nuk mund ta ndryshojë askush, pavarësisht se çfarë mund të dëshirojë apo të mendojë sot.
E them këtë edhe si historian, sepse lufta, zhvillimet politike, procesi i shtet formimit dhe njohjet ndërkombëtare janë të dokumentuara në arkivat e diplomacive më të fuqishme të botës, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Historia e Kosovës dhe historia diplomatike amerikane por edhe një pjesë evropiane, e ka të dokumentuar rolin e UÇK-së, ndërhyrjen e NATO-s dhe zhvillimet politike të asaj kohe.
Në këto procese Hashim Thaçi kishte një rol të rëndësishëm. Dokumentet gjenden në Uashington, Paris, Londër, Berlin, Romë, Tiranë dhe në qendra të tjera diplomatike.
Po e përsëris: edhe nëse ne do të dëshironim ta shtrembëronim të kaluarën, dokumentacioni diplomatik amerikan dhe evropian dëshmon për atë që ka ndodhur në fund të shekullit XX dhe gjatë procesit të shtet formimit të Kosovës.
Nga ky këndvështrim historik, Hashim Thaçi sot nuk ka nevojë për lavdi të ndërtuar përmes fjalëve. Ai tashmë i përket historisë së Kosovës.
Por sot ai po përballet me një proces të rëndë gjyqësor në Hagë, së bashku me bashkëluftëtarët e tij.
Sot ata nuk kanë nevojë për epitetet tona, as për lavdërimet dhe fjalët e mëdha. Ata kanë nevojë për drejtësi, për një proces të paanshëm, të mbështetur në prova dhe në respektimin e standardeve ndërkombëtare.
Dhe çfarë po bëjmë ne?
Po i lëmë të përballen pothuajse të vetëm me një proces që tash e gjashtë vjet ua ka marrë lirinë dhe kohën.
Ndërkohë, ne vazhdojmë të shkruajmë poezi, të mbajmë fjalime, të organizojmë debate dhe takime.
A e kuptojmë se këtyre njerëzve po u merret koha më e çmuar e jetës, vitet që do të duhej t’i kalonin pranë familjeve, pranë shtetit dhe pranë krijesës politike e institucionale që vetë ndihmuan ta ndërtojnë, ta rrisin dhe ta zhvillojnë?
Çfarë po bën shteti i Kosovës? Çfarë po bëjnë institucionet dhe opozita? Çfarë kanë bërë dje dhe çfarë po bëjnë sot për të mbrojtur të vërtetën tonë historike dhe për të siguruar që procesi në Hagë të zhvillohet mbi parimet e drejtësisë, ligjit dhe provave?
Këtu qëndron edhe një paradoks që Kosova nuk duhet ta anashkalojë: Gjykata Speciale u themelua përmes vendimmarrjes së Parlamentit të Kosovës, por funksionon me strukturë ndërkombëtare dhe me seli në Hagë.
Ajo u krijua në kuadër të një marrëveshjeje dhe një mekanizmi të veçantë ndërkombëtar, ndërsa sot para saj po gjykohen njerëz që kanë qenë pjesë e historisë së luftës dhe të shtet formimit të Kosovës.
Një prej shqetësimeve më të mëdha lidhet me materialet që kanë burime në Serbi, shtet që ishte palë në konflikt dhe që kishte interes të drejtpërdrejtë politik në paraqitjen e luftës së Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, çdo dokument, çdo dëshmi dhe çdo pretendim duhet të shqyrtohet me kujdes të veçantë.
Besueshmëria, origjina dhe vlera e tyre duhet të vlerësohen me seriozitetin që kërkon një proces i tillë.
Nuk dua të hyj në një elaborim të hollësishëm të vendimeve të gjykatës, sepse për këtë kanë folur shumë juristë dhe studiues.
Por një gjë duhet kuptuar: pakënaqësia politike dhe deklaratat publike nuk mjaftojnë për të ndryshuar rrjedhën e një procesi gjyqësor.
Nevojiten argumente, dokumente, dëshmi dhe punë profesionale.
Kosova duhet ta kuptojë se përgjegjësia e saj nuk përfundon me deklarata solidariteti.
Përgjegjësia e saj fillon pikërisht aty ku përfundon deklarata. Në këtë drejtim, nuk duhet të harrojmë se avokatët dhe ekipet mbrojtëse e kanë detyrën dhe përgjegjësinë e tyre profesionale.
Ata janë aty për ta bërë punën në sallën e gjyqit dhe për t’i mbrojtur çlirimtarët sipas ligjit.
Por shteti i Kosovës ka një përgjegjësi tjetër, të cilën nuk mund t’ia kalojë askujt.
Shteti duhet të bëjë punën e vet politike, institucionale dhe diplomatike.
Duhet të dëshmojë pjekuri dhe përgjegjësi, së bashku me opozitën, duke ndërtuar një qasje të përbashkët për këtë çështje.
Duhet të angazhohet me vendet mike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerët evropianë, duke ua paraqitur dokumentacionin historik dhe shqetësimet që lidhen me zhvillimin e procesit.
Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës dhe as për kërkim të ndonjë privilegji.
Bëhet fjalë për përgjegjësinë e një shteti që duhet të kujdeset që një proces i tillë të mos shndërrohet në një gjykim me karakter politik, por të mbetet një proces i drejtë, i paanshëm dhe i mbështetur në prova.
Nëse në vendimin e shkallës së parë ka konstatime që kundërshtohen nga dokumentet, faktet historike apo dëshmitë, ato duhet të analizohen dhe të trajtohen seriozisht në fazën e ardhshme të procesit.
Çdo pretendim duhet të ballafaqohet me dokumentacionin përkatës.
Këtu mund të kontribuojnë historianët, studiuesit dhe të gjithë ata që disponojnë materiale autentike e dëshmi të rëndësishme.
Kjo është një punë që kërkon përgatitje dhe bashkëpunim, jo vetëm deklarata.
Shteti duhet të jetë i pranishëm aty ku kërkohet përgjegjësia e tij.
Duhet të ndërtojë një qasje të qëndrueshme, të bashkëpunojë me miqtë ndërkombëtarë dhe të dëshmojë se Kosova është e interesuar për drejtësi dhe jo për përballje politike.
Por, mbi të gjitha, duhet të kuptojmë edhe anën njerëzore të kësaj çështjeje.
Këta njerëz po i kalojnë vitet më të mira të jetës larg familjeve të tyre.
Po u merret koha që nuk mund të kthehet më.
Asnjë fjalim, asnjë poezi dhe asnjë dekoratë nuk mund t’ua kthejë vitet e humbura pranë njerëzve të dashur.
Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk kanë nevojë që ne çdo ditë t’u tregojmë se kush janë.
Historia e Kosovës i ka emrat e saj, i ka themeluesit dhe protagonistët e proceseve të saj.
Ata kanë vendin e tyre në historinë e luftës çlirimtare dhe të shtet formimit të Kosovës.
Ky është realitet historik që nuk duhet as të teprohet me lavdërime, as të relativizohet dhe as të shtrembërohet.
Por pikërisht për këtë arsye ne kemi përgjegjësi të mos qëndrojmë duarkryq.
Ata duhet t’i kthehen Kosovës sa më parë, përmes një procesi që garanton drejtësi dhe paanshmëri.
Diplomacitë ndryshojnë sistemet botërore, në rastin e Kosovës miqtë tanë ishin ata që, së bashku me ne, ndihmuan të ndryshohej rrjedha e historisë.
Prandaj, edhe sot, rrugën e dokumentimit të së vërtetës dhe të komunikimit me partnerët tanë duhet ta ndërtojmë mbi fakte, dokumente dhe argumente të qëndrueshme.
Deklaratat, komunikatat dhe lavdërimet janë për konsum ditor.
Historia nuk mbrohet me fjalë të përditshme, por me dokumente, argumente, diplomaci dhe veprime konkrete.
Sot nuk është koha për t’u treguar atyre se sa shumë i vlerësojmë.
Është koha të dëshmojmë se sa jemi të gatshëm të punojmë për drejtësinë e tyre.

