Gjilani merr mbështetje nga niveli qendror në menaxhimin e situatës së pandemisë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe drejtori i ShSKUK, dr Valbon Krasniqi kanë vizituar sot Gjilanin.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, vizitën e eksponentëve të lartë të shëndetësisë e ka vlerësuar si mbështetje të madhe për Gjilanin.
“Në ditët e vështira që i kemi kaluar bashkë, kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë. Vizita e ministrit Zemaj, dr. Naser Ramadanit dhe dr. Valbon Krasniqit, nuk është vizitë kurtuazie, por është solidaritet për Gjilanin, është një mbështetje e madhe për komunën tonë”, ka thënë Haziri.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ka vlerësuar lart Komitetin e Gjilanit, duke thënë se po bëjnë punë të madhe në menaxhimin e situatës me pandeminë
Në këtë takim, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka kumtuar rezultatet e 24 orëve të fundit sa i përket COVID-19, ndërkaq drejtori i ShSKUK, dr. Valbon Krasniqi, ka treguar për situatën në spitale, të spitalizuarit në QKUK dhe Spitalet e Përgjithshme Rajonale.
Ramadani ka njoftuar për 13 raste të reja pozitive me COVID-19 në Gjilan si dhe 22 të shëruar.
Ndërkaq, dr. Valbon Krasniqi, ka konfirmuar se Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit i janë dorëzuar dy respiratorë, të cilët do të jenë në shërbim të pacientëve me oksigjenoterapi.
Përndryshe, gjatë vizitës së kaluar të ministrit Zemaj, Gjilani pati përfituar një autoambulancë moderne.

