Kastrati revoltohet me MASHT-in: Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka kundërshtuar përsëri vendimin e MASHTI-t për ndërhyrjen në reformën e arsimit, e cila ishte pranuar nga të gjithë ministrat paraprakë, përveç ministres aktuale, Arbërie Nagavci.
Ai ka dhënë një sërë arsyetimesh pse Ministria nuk duhet ta anulojë vendimin për reformën në arsim. Madje, sipas tij, gjithçka që është duke bërë MAShTI, është manipulim me masën dhe me mësimdhënësit, punëdhënës i të cilëve është komuna.
Kastrati ka nënvizuar pikën 1.20 të kontratës ndërmjet Komunës dhe nëpunësit, ku thuhet që nëpunësi obligohet “të mos kërkojë apo pranojë udhëzime lidhur me kryerjen e detyrave të punës nga asnjë organ tjetër përveç drejtorit të shkollës dhe DKA-së ose personave të caktuar nga ta”.
Kastrati ka kërkuar prej mësimdhënësve të mos e tradhtojnë besimin e tyre në raport me riorganizimin dhe të mendojnë më mirë në raport me ligjet të cilat e përcaktojnë angazhimin e tyre profesionalë.
“As ministri i Arsimit, as Kryeministri e as Presidenti nuk mund t`ju mbrojnë nga shkelja e kontratës të cilën ju vet e keni nënshkruar”, thotë Kastrati.
Për më tepër, ai thotë se Ministria e Arsimit nuk është eprori i Komunës, s ai përket organizimit të arsimit dhe nuk mund të veprojë kundërligjshëm.

