Çka paralajmëroi Luta me ‘Javën e bardhë për Gjilanin’?
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar javë të bardhë për këtë qytet, pasi Dega e LDK’së do ta shënojë 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.
Partia, kryetar i së cilës është Haziri, do ta shënojë këtë festë nga 4 e deri më 11 mars me aktivitete të ndryshme.
“Javë e bardhë për Gjilanin. Prej 4 deri në 11 mars do ta shënojmë 30-vjetorin e themelimit të partisë së Ibrahim Rugovës. Gjatë kësaj jave, do të ketë manifestime politike, kulturore e sportive, me theks të veçantë, vlerësimin e lartë për rolin e gruas dhe të rinisë”, ka shkruar Haziri, në profilin e tij në Facebook, derisa ka shprehur falënderim, në veçanti, themeluesit.
“Falënderim deri në gjunjëzim brezave tanë që nuk janë në jetë, por që kontribuan për Degën e LDK’së, në rezistencën politike e paqësore, e në fund edhe me kryengritje, duke arritur deri te Liria, Pavarësia dhe Demokracia”, ka shtuar ai.
Sipas Hazirit, “Rapublika jonë është kompromisi i dhimbshëm i zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan. Ka ardhur koha që shqiptarët e Kosovës Lindore t’i bashkohen atdheut të tyre”./MediaFokus/


