A do ta lejojë Qeveria vizitën e ministrit serb të Arsimit?

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës sot ia ka ndaluar vizitën në Mitrovicë ministrit serb të arsimit, derisa nga zyra e kryeministrit Hoti thonë se po e shqyrtojnë nëse do ta lejojnë futjen e Sharçeviqit në Kosovë meqë një sugjerim i tillë ka ardhur nga ndërkombëtarët.

Ministria e Punëve të Jashtme ia ka ndaluar ardhjen në Kosovë, ministrit të Arsimit serb, Mladen Sharçeviq.

MPJ’ja e ka konfirmuar për Express se Sharçeviq kishte paraparë të vizitonte një institucion arsimor në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, nga zyra e Kryeministrit Avdullah Hoti, kanë thënë për Express se lejimi i ardhjes së ministrit serb në Kosovës është sugjeruar nga ndërkombëtarët.

Këshilltari i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri, ka thënë për Express se ende nuk ka një vendim përfundimtar për ministrin serb.

“Ka pasur sugjerime nga ndërkombëtarët që t’i lejohet ardhja në Kosovë, ministrit të Arsimit të Serbisë. Kjo për shkak të relaksimit të raporteve të të dyja vendeve. Nuk ka ende vendim vendim përfundimtar”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë, MPJ në përgjigjen për Express ka treguar edhe arsyet e refuzimit të lejes për vizitë në Mitrovicë të ministrit serb.

” Shkaqet e refuzimit konsistojnë në arsyet se: Qeveria e Serbisë vazhdon fushatën kundër njohjes se pavarësisë së Kosovës; Qeveria e Serbisë vazhdimisht azhurnon urdhrër-arrestet ndërkombëtare per krime të pretenduara lufte në Interpol për qytetarët e Kosovës dhe ish ushtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; si dhe Qeveria e Serbisë, përkundër të drejtave të avancuara të komunitetit serb në Kosovë, vazhdimisht ndërhyn në përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mirë-integrimin e kësaj pakice dhe koordinimin më të mirë – në veriun e vendit”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Ministri serb nuk u lejua të hyjë në Kosovë për shkak të vazhdimit të fushatës së Serbisë për mosnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme të botës.