BE kërkon krijimin e Asociacionit në bazë të Opinionit të Gjykatës Kushtetuese

Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“I takon Kosovës që të propozojë si të ecet përpara, me zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kur u pyet se “a duhet të zbatohet Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, transmeton rel.

Më herët, Stano kishte thënë se Kosova me këto marrëveshje ka marrë obligime me vullnet të mirë dhe duhet t’u përmbahet atyre obligimeve.