Gjendje alarmante e infeksionit me COVID-19 në këtë qytet shqiptar

5 ditët e para të muajit shkurt kanë sjellë infektime në masë me COVID-19 në Sarandë dhe në rrethinat e saj.

Mjekët bëjnë apel për kujdes, ruajtjen e distancës dhe respektimin e rregullave kundër COVID-19.

Specialistet e Shëndetit Publik mbyllën një shkollë të mesme dhe Hipotekën e Sarandës pas prekjes me COVID-19 të një pjese të konsiderueshme të stafit të punës.

Ceremonitë mortore dhe mos respektimi i distancës mbeten shkaqet kryesore të përhapjes së shpejtë të virusit.

“Pra, jemi në një rritje të madhe të rasteve. Që do të thotë është tani momenti I duhur për t’u ndërgjegjësuar, njerëzit të marrën masa parandaluese se me këto ritme po themi që shumë shpejt me këto ritme popullsia e Sarandës do të infektohet shumë. Sidomos në vaki, në sebepe në lokale duhet shmangur grumbullimi”, u shpreh Milto Çondi, shefi i epidemiologjisë në Sarandë.

Mbi 100 persona paraqiten në urgjencën e spitalit të Sarandës çdo ditë për ndihmë mjekësorë.

Në rast se vazhdohet më këtë ritëm shumë shpejt kapacitetet e spitalit do të tejmbushen.

“Duhet të kenë kujdes sidomos nëpër vaki, që venë sepse është një vatër infektimi shumë e madhe. Rastet fatkeqësisht po shtohen ne duhet të bëjmë kujdes sa të kalojmë këtë faze. Në këtë periudhë kemi pasur dhe raste të rënduara, të cilat i kemi dërguar në Tiranë. Mund të kemi 30 , 40 ose 50 raste në ditë që kanë dalë pozitiv”, u shpreh Spiro Talo, shefi i shërbimit të urgjencës.

Ndërkohë policia bëri me dije se gjatë kësaj jave në gjithë qarkun e Vlorës ku bëjnë pjesë Sarandë dhe Delvina janë vendosur 115 gjoba për personat që nuk mbajnë maskën në ambientet publike.

Mjaft shqetësues ngel fakti që rrugëve të Sarandës sheh shumë pak persona që lëvizin me maska mbrojtëse. Që prej fillimit të pandemisë në Delvinë dhe Sarandë janë prekur me covid 19, rreth 1200 persona.