A duhet të agjërojnë nënat gjidhënëse, ja çka thotë dietologia e njohur kosovare (VIDEO) 

Ajshe Ibrahimi – dietologe/nutriciste

Agjërimi na mundëson t`i largojmë toksinat nga organizmi ynë  dhe rigjeneron qelizat, gjë që na ndihmon të kemi përgjithësisht një shëndet të mirë.

Por duhet pasur parasysh se në mesin e personave që lirohen nga agjërimi, janë edhe nënat të cilat i ushqejnë fëmijët e tyre me gji.

Kur bëhet fjalë për nënat të cilat i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gji, atëherë duhet të bëjmë një vlerësim të situatës, edhe pse nuk ekziston një ndalesë e plotë, nuk preferohet.

Kjo për arsye se nënat të cilat ushqejnë fëmijët e tyre me gji, duhet të fokusohen në një dietë të shëndetshme, të ekuilibruar me të gjithë nutrientët ushqyes si: vitaminat dhe mineralet, karbohidratet, proteinat, fibrat dhe uji.

Të gjithë këta nutrientë ushqyes  ndikojnë në shëndetin e nënës e që më pastaj përcillet te fëmija përmes qumështit të gjirit.

Gjithashtu për të siguruar të gjithë këta nutrientë të nevojshëm, si dhe për t`iu shmangur tronditjeve metabolike, një rol të rëndësishëm luajnë dhe vaktet ditore si: mëngjesi, dreka dhe darka dhe dy vakte te ndërmjetme.

Pra nga e gjithë kjo që u përmend më lartë, del se shëndeti i nënës dhe i fëmijës është me prioritet.