A duhet të kenë frikë shtatzënat nga COVID-19?
Gjinekologu i njohur Kosovar, ass. dr. Memli Morina, në një prononcim për portalin Mediafokus.info, thotë se shtatzënat nuk manifestojnë më shumë simptoma të Covid-19, se sa popullata e përgjithshme.
“Sipas të dhënave të fundit, shtatzënat nuk manifestojnë më shumë simptoma se sa popullata e përgjithshme, ndonëse shumë hulumtime janë në rrjedhë e sipër. Ne, mjekët iu rekomandojmë shtatzënave që t’i ndjekin rekomandimet në mënyrë që të shmanget infeksioni me koronavirus”, ka thënë Morina për Mediafokus.info.
Ai, në një mënyrë, e përjashton mundësinë që Coronavirusi të kalojë te fryti.
“Sa i përket ndikimit te fryti, pak ka mundësi që COVID-19 të kalojë te fryti gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Disa shtatzëna me COVID-19 kishin lindur para kohe, por po studiohet ky fakt në mënyrë që të qartësohet lidhja e drejtpërdrejtë midis virusit dhe lindjes së parakohshme”, thotë njëri nga gjinekologët më eminent në Kosovë.
Ai këshillon që shtatzënat ta mbajnë distancën 5 hapa me të tjerët.
“Aktualisht, nuk është një situatë që duhet pasur frikë e panik! Virusi kalon prej njërit person tek tjetri dhe shtatzënat duhet që, përveç se të shmangin kontaktet me njerëz, ato duhet tê mbajnë distancën rreth 5 hapa me tê tjerët dhe t’i lajë diart rregullisht”, ka thënë ai, teksa tregon në fund për punën e tij në kohë pandemie.
“Ne po punojmë edhe gjatë këtyre ditëve. Gjithmonë kontaktojmë me shtatzënat dhe i adresojmë shqetësimet e tyre në mënyrë ekektronike, por nëse vizita duhet të kryhet patjetêr, atëherë i marrim të gjitha masat mbrojtëse”, ka thënë gjinekologu, dr. as. Memli Morina./Mediafokus.info/

