Ilaçi i zakonshëm e ktheu urinën e këtij burri në të gjelbër – Ja pse

Urina nuk duket gjithmonë njësoj: Ndonjëherë është më shumë ose më pak e verdhë se zakonisht. Ndonëse këto ndryshime mund të mos ju alarmojnë, një ndryshim tjetër i ngjyrës mund të jetë: urina e gjelbër.

Kjo i ndodhi një 62-vjeçari me sëmundje pulmonare obstruktive kronike pasi u shtrua për probleme me frymëmarrjen, sipas një raporti të fundit të botuar në New England Journal of Medicine.

Me të mbërritur, mjekët konstatuan se burri vuante nga diçka e quajtur dështimi i frymëmarrjes hiperkapnike, që do të thotë se nivele të larta të dioksidit të karbonit u gjetën në gjakun e tij. Pacienti u intubua dhe iu dha një ilaç i quajtur propofol, i cili përdoret si qetësues për të ndihmuar pacientët të relaksohen.

Por pesë ditë pas trajtimit me propofol, urina e burrit u bë jeshile. Pacienti nuk tregoi shenja infeksioni dhe mjekët arritën në përfundimin se urina e gjelbër ishte shkaktuar nga propofoli që i ishte dhënë.

“Sapo infuzioni i propofolit u ndërpre, ngjyra e urinës u kthye në normale”, thotë raporti.

Sipas raportit mjekësor, urina me ngjyrë jeshile, e pazakontë, ishte për shkak të mënyrës se si ilaçet metabolizohen në mëlçi dhe më pas eliminohen përmes veshkave.

Përveç propofolit, ilaçe të tjera (si ilaçet kundër depresionit dhe ilaçet anti-inflamatore) dhe infeksionet mund të çojë në urinë me nuanca të gjelbërta. Ushqimet me njgyrues gjithashtu mund të shkaktojnë urinë të gjelbër, transmeton anabel.

Megjithatë, shkaku më i zakonshëm i ndryshimit të ngjyrës së urinës është mjekimi.