A e dini se Anamorava i ka dy teqe

Anamorava i ka dy teqe, njëra gjendet në qytetin e Gjilanit, e njohur si teqeja e Sheh Tefikut dhe tjetra në fshatin Topanicë, e njohur si teqeja e Sheh Zenelit, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Teqeja e Gjilanit ishte një vend ku dikur diskutohej për fatin e kombit dhe çështjet tjera madhore të kohës. Jo rastësisht, forcat serbe e dogjën këtë monument gjatë tërheqjes nga Kosova. Ndërtesa e teqesë në Topanicë është mjaft e vjetër dhe sipas të gjitha gjasave i përket gjysmës së shekullit XVIII. Ajo ka shërbyer për kryerjen e ceremonive fetare të rendit halveti.

Teqeja është njëkatëshe, ka dy kthina dhe hajatin gjysmë të hapur. Kthina e parë u shërbente dervishëve për ndejë e bisedime para dhe pas ziqrit (ritual fetar). Kthina e dytë – semahania gjendet pranë dhomës së parë, në këndin jugor.   

Semahania ka qenë e rregulluar, me shtrojë e mbulojë, me disa foto të ndryshme në të, me dy varre të improvizuara dhe mjete a vegla që u kanë shërbyer dervishëve për çështje të ndryshme si: tri shpata, një palë pranga, një flamur etj.

Sipas Sherafedin Kadriut, zyrtar për trashëgimi kulturore në Gjilan, ndërtimi i teqesë është realizuar nga gurët, qerpiçi, druri dhe llaçi i baltës. Ka kulm katër ujor, të mbuluar me tjegulla argjile. Kulmi vazhdon edhe mbi hajat duke krijuar strehë të gjerë. Oborri është i rrethuar me mur nga guri, i cili pas luftës së fundit në Kosovë është rinovuar.

Pranë teqesë gjendet tyrbja ku janë varrosur udhëheqësit e rendit halveti. Në tyrbe gjenden 7 varre, në të cilët, përpos sheh Zenelit, Rrustës, Ibrahimit, Aliut, Ismailit e Abdylit, është varrosur edhe një i huaj, emri i të cilit nuk dihet.

Teqeja në Gjilan i përket tarikatit Sadi dhe gjendet në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Sipas burimeve të sheh Tefikut, teqeja është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII.

Themelues është sheh Islami i Leskocit, që nga andej është shpërngulur në Shkup dhe më pas ka ardhur në Gjilan, për të këtë qëllim. Varri i tij nuk gjendet në Teqenë e Gjilanit, sepse fill pas themelimit të këtij tempulli, ai kthehet sërish në qytetin e Shkupit, për të vepruar atje.

Në afërsi të Teqesë gjendet edhe Tyrbja me tri kobure (varre). Aty është varri i sheh Tefikut, sheh Rrahimit, sheh Eminit dhe dervish Mustafasë.

Ndërkaq, jashtë gjenden varret e dervish Ismajlit, dervish Hajdarit, sheh Alihajdarit dhe varri i bashkëshortes së sheh Tefikut, Akilës. Sheh i parë i kësaj Teqeje njihet sheh Rrahimi nga fshati Gmicë, më pastaj sheh Emini nga Poliçka e Kamenicës dhe sheh Tefik Mustafa nga Gjilani, i pasuar nga i biri Alihajdari, mësimdhënës shumëvjeçar i artit figurativ në Gjilan.

Sipas të dhënave, themelues i tarikatit Sadi në Kosovë, është Axhiza Baba, ndërsa teqeja bazë është në Gjakovë, e njohur me emrin Teqeja e Madhe.

Në bazë të hierarkisë, fillimisht ka qenë sheh Shefketi i Teqesë së Madhe e, më vonë vazhdon sheh Hasani në Leskoc, sheh Sylejmani në Vrajë, sheh Xhaferi në Shkup, sheh Hyseni në Nasalcë dhe sheh Tefiku në Gjilan.

Teqeja e Gjilanit ka qenë vatër e atdhedashurisë, ku flitej dhe diskutohej për çështjet madhore të kombit. Për këtë arsye, sheh Tefiku dënohet dy herë nga pushtuesit sllav. Në vitin 1945 dënohet me pushkatim, por falë Brigadës së Shaban Haxhisë, i cili ishte në ballë të saj si dhe Hysen Dolit nga Gjakova, lirohet nga burgu i OZN-së dhe, për të humbur gjurmët gjen strehim në Gjakovë.

Në vitin 1960 me Grupin e Kadri Halimit e të Ali Aliut, që vepronte në gjithë Kosovën, dënohet me 4 vjet burgim të rëndë, të cilat, pa u përkulur asnjë çast, si shumë shokë të tij, i mbanë ditë më ditë në qelitë famëkeqe të Nishit.

Duke e ditur këtë rol të Teqesë, forcat serbe, gjatë tërheqjes nga Kosova, në qershor 1999, e dogjën deri në themel edhe Teqenë e sheh Tefikut, me një bibliotekë të tërë librash të vjetra, nga shekulli XVIII, me dhjetëra shandanë e mjete të shumta, nga më të ndryshmet, që shërbenin gjatë ceremonive fetare. /Mediafokus.info