A është ky lisi më i vjetër në Ballkan?
Besohet se ky trung që gjendet në territorin e Kaçanikut, është lisi më i vjetër në Ballkan. Duket se i përket llojit të drurit qarr.
Qarri është trung i trashë e i gjatë, me lëkurë të errët, plot të çara e me gjethe vezake, që bën lëndë të mëdha.
Njihen llojet: qarr i bardhë, qarr i kuq, qarr i zi, qarr i egër etj.
Në kuptimin figurativ, kur diçka nuk bëhet dot, thuhet: ‘Kur të bëjë qarri arra’, që do me thënë kurrë, asnjëherë.
Lisin e Biçecit e ka postuar në profilin e tij gazetari Daut Shehu nga Kaçaniku, i cili ka shkruar se ky është lisi më i moçëm në Ballkan.
‘Ky është lisi më i moçëm në Ballkan. Kështu u pat thënë në emisionin “Kviskoteka” të TV Zagrebit, në vitet ’80-ta nga udhëheqësi i programit, Oliver Mlakar. Ky lis gjendet në fshatin Biçec, nja 5 km larg qendrës komunale të Kaçanikut”, ka shkruar Shehu.
‘Paramendo sa të vjetër jemi ne shqiptarët në këto troje’, ka shkruar një komentues./Mediafokus.info