A gjobiten pronarët e veturave nëse qarkullojnë pa regjistrim?

Edhe pse janë hapur Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve, qytetarët e Kosovës mund të qarkullojnë në rrugët e Kosovës vetëm me policat e sigurimeve, shkruan Mediafokus.info.

Akoma është në fuqi vendimi i muajit mars i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe deri në një vendim tjetër, pronarët e veturave nuk gjobiten nga policia nëse nuk kanë regjistrim, ka thënë për Mediafokus.info Bajram Gecaj, shef i Kabinetit dhe këshilltar i lartë i ministrit të MPBAP, Agim Veliu.

“Qendrat e Rexhistrimit të Automjeteve (QRA) tërë kohën kanë ofruar shërbim për rastet urgjente dhe për biznese, por tani janë të hapura që të gjitha. Megjithate, deri në vendimin tjetër, nuk ka penalizme për qytetarët që nuk i regjistrojnë ato”, ka thënë Gecaj për Mediafokus.info.

Gecaj theksoi, poashtu, se sipas vendimit në fuqi, nëse ndërrohet pronari i automjetit dhe nëse të dy janë nga i njëjti regjion nuk është e nevojshme të ndërrohen targat e automjetit.

Ndërkohë, deri në një vendim ndryshe, mbetet vetëm në vullnetin e pronarëve të veturave për regjistrimin e automjeteve.

Përndryshe, sipas zyrtarëve të kompanive të sigurimeve, mbi 50 mijë automjete nuk janë regjistruar gjatë kohës që kur Kosova po përballet me pandeminë e COVID-19 dhe kjo, sipas tyre, ka goditur rëndë kompanitë e sigurimeve./Mediafokus.info/